Komisioni i Ligjeve zhvilloi seancë dëgjimore për Raportin e veprimtarisë së DAP për vitin 2020, si dhe shpalli vakancat për Zëvendësues i dytë për Komisioner të KPP dhe Zëvendësues i parë për Komisioner Publik
- Postuar më, 21/06/2021
21 qershor 2021
Komisioni për
Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e
kryetarit z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës zhvilloi një seancë
dëgjimore me znj. Albana Koçiu, Drejtoreshë e Departamentit të Administratës
Publike për Raportin Vjetor të veprimtarisë së DAP gjatë vitit 2020. Znj.Koçiu
bëri një përmbledhje të punës së DAP përgjatë vitit të kaluar, vijimin e procesit
të reformës në administratën publike, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në zbatimin
e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi në Rezolutën e vitit 2020. Më tej znj.Koçiu
shpjegoi masat e ndërmarra për vijimin normal të punës në kushtet e jashtëzakonshme
të krijuara nga pandemia, por dhe vijimin e plotësimit të vakancave në shërbimin
civil. “Ne arritëm që nëpërmjet mjeteve të teknologjisë së informacionit të
siguronim dhe të garantonim plotësimin e vendeve vakante nëpërmjet rekrutimit tërësisht
on-line”, nënvizoi drejtoresha e DAP. Kryetari
Manja vlerësoi si pozitive punën e DAP përgjatë vitit 2020, inkurajoi rritjen e
bashkëpunimit të DAP dhe KMSHC dhe theksoi se Rekomandimet e lëna në Rezolutën
e Vitit 2020 janë përmbushur plotësisht. Z. Manja vlerësoi se një rekomandim permanent
për DAP duhet të jetë zbatimi i plotë të ligjit të dekriminalizimit. Më pas
znj.Koçiu iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të deputetëve të komisionit.
Rendi i ditës së
komisionit vijoi njoftimin mbi vakancat e krijuara për pozicionet Zëvendësues i
dytë për Komisioner të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të krijuar nga dorëheqja
e z.Pal Shkëmbi dhe Zëvendësues i parë për Komisioner Publik vakancë e krijuar
nga z.Darjel Sina. Kryetari Manja shpjegoi procedurat për plotësimin e vakancave
për dy organet e Vettingut, dispozitat ligjore për përzgjedhjen e tyre dhe
sqaroi më tej se nga verifikimi në bllok i listës së kandidatëve të zgjedhur në
organet e rivlerësimit, miratuar me Vendim të Kuvendit nr. 82/2017, rezulton se
lista për Komisioner të KPP dhe për Komisioner Publik ka mbetur vetëm me nga një
anëtar zëvendësues, gjë që nuk garanton siguri për vijimësinë e pandërprerë të
procesit të Vettingut në këtë fazë të ecurisë së tij. Në përfundim të diskutimit, Komisioni i Ligjeve
miratoi shpalljen e dy vakancave, si dhe njoftimin e seancës plenare për vijimin
e procedurave për plotësimin e tyre.