Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi morri pjesë në takimin e Rrjetit të Komisioneve Parlamentare për të Drejtat e Njeriut dhe Barazinë Gjinore të Ballkanit Perëndimor (HUGEN)

  • Postuar më, 18/06/2021

U zhvillua sot online takimi i komisioneve të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor me temë "Ndikimi i COVID-19 tek personat me aftësi të kufizuara". Takimi u përshëndet nga znj. Vasilika Hysi, zëvendës kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetare Informale e rrjetit HUGEN e cila në fjalën e saj u shpreh:  “ Pavarësht periudhës së pandemisë së shkaktuar nga COVCID 19, Rrjeti HUGEN vijoi punën në dy fusha: shqyrtimi post legjislativ i ligjeve të zgjedhura nga parliamentet dhe takime rajonale për  adresuar aspekte të veçanta të të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Të gjithë jemi dëshmitarë që pandemia e shkaktuar nga COVID 19 nuk ka pasur ndikim të njëjtë te grupe shoqërore të caktuara. Gratë, minoritetet dhe personat me nevoja të veçanta u preken më shumë nga pasojat e pandemisë. Mbyllja, përqëndrimi i shërbimeve të pandemia, frika për të marrë shërbime nga të sëmurët kronikë, kufizimi i lëvizjeve dhe shërbimeve  fizioterapike apo kontrollet periodike etj. ndikuan te personat me aftësi  të kufizuar”.

Znj. Hysi vlerësoi këtë takim si një hapësirë për diskutim dhe shkëmbim përvojash në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbi çështjet e arsimit, kujdesit shëndetësor, sigurisë ekonomike dhe punësimit të personave me aftësi të kufizuara gjatë pandemisë COVID-19.

Pjesëmarrësit në takim u njohën me statusin e personave me aftësi të kufizuara dhe përvojën në ofrimin e shërbimeve mbështetëse gjatë pandemisë COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar. 

Ky takim shumëpalësh krijoi hapësirë për diskutim dhe shkëmbim përvojash në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe u diskutua rreth zgjidhjeve të mundshme të përbashkëta më gjithëpërfshirëse në përgjigje të krizës shëndetësore dhe ekonomike, sistemeve të mbështetjes dhe mbrojtjes së grupeve të cënueshme në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Fondacioni Westminster për Demokraci (WFD) dhe rrjeti HUGEN nisën një seri dialogësh tematikë mbi situatën e grupeve shoqërore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim morën pjesë znj. Eglantina Gjermeni, Kryetare e Nënkomisioni për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, deputetë, ekspertë  në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, si dhe anëtarët e shërbimit profesional nga rrjeti HUGEN.



Share