Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi një projektligj

  • Postuar më, 17/06/2021

17 qershor 2021

Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares, znj. Mimi Kodheli, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”. Të pranishëm në komision ishin përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë si edhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Projektligjin për komisionin e paraqiti znj. Elona Mistrovica, drejtore në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Projekti i financuar përmes kësaj huaje është tridhjetë milionë dollarë, me periudhë maturimi 25-vjeçar, për 5 vjet pa pagesë principali dhe me interes vjetor 2%. Ky projekt, sipas znj. Mistrovica, projketi është vijimësi e fazës së parë të projektit “Lungomare-s” së Vlorës, e përfunduar me fondet e BE-së. Projekti vijohet nga zona e tunelit te marina në Orikum, duke rimodeluar vijën bregdetare në këtë segment rrugor. Znj. Mistrovica u shpreh se projekti mundëson krijim hapësire për këmbësorët, rrit kapacitetet e plazhit, përmirëson aksesin në bregdet, rigjeneron zonën, kthen në destinacion turistik tërheqës Vlorën. Agjencia zbatuese e këtij projekti është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Projekti do të zgjasë deri më dhjetor 2023, kohë kur përfundojnë punimet. Relatori i këtij projektligji për komisionin ishte z. Alket Hyseni, që e konsideroi një investim me rëndësi madhore për qytetin e Vlorës dhe turizmin shqiptar. Ai u ndal te dy fazat e deritanishme të “Lungomare-s”, dhe u shpreh se ky projekt vjen ne vijimësi të këtyre dy fazave, duke i avancuar deri në Orikum, përmes transformimit plotësisht vijën bregdetare. Marrëveshje, për z. Hyseni ishte favorizuese, përveç qëllimit final, edhe ne terma financiare. Në përfundim të diskutimeve, komisioni votoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin. 


Share