Thirrje për aplikim për përfaqësim në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian
- Postuar më, 13/07/2021
Bazuar në Ligjin nr. 15/2015 “Për
rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në
Bashkimin Europian”, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është ngritur
dhe funksionon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), si struktura më
e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian, i cili nxit dhe
garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike,
institucioneve publikë dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e
transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.
Këshilli Kombëtar i Integrimit
Europian drejtohet nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit dhe ka
si zëvendëskryetar kryesuesin e delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar
për Stabilizim-Asociimin. Gjithashtu, në përbërje të tij si të ftuar të
përhershëm, krahas titullarëve të institucioneve kryesore kushtetuese,
përfaqësues nga universiteti publik dhe biznesi ka edhe tre përfaqësues
nga media, të angazhuar në çështje të integrimit europian.
Bazuar në parashikimet e
Rregullores së KKIE, ftohen përfaqësuesit e medias, të angazhuar në raportimin
e çështjeve të lidhura me integrimin europian, të aplikojnë pranë Sekretariatit
Teknik për të marrë pjesë në takimet e KKIE si të ftuar të përhershëm, për një
periudhë 2 vjeçare.
Të gjithë të interesuarit, për
t’u bërë pjesë e këtij Këshilli, duhet të paraqesin një letër interesi, në
adresën elektronike info.kkie@parlament.al brenda datës 15 korrik
2021.