Faleminderit Parlamentit të Holandës! Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i shkruan kryeparlamentares Bergkamp

  • Postuar më, 16/06/2021

Me rastin e marrjes së vendimit e Parlamentit të Holandës për thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër falenderimi Kryetares së Parlamentit të Holandës, znj. Vera Alida Bergkamp.

“Me kënaqësi të vecantë mora vesh lajmin e gëzuar që Dhoma e Përfaqësuesve e Vendeve të Ulëta i dha dritën jeshile thirrjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju shpreh mirënjohjen për shqyrtimin me kujdes të arritjeve të Shqipërisë drejt plotësimit të rekomandimeve të Komisionit dhe Këshillit Europian. Ne asnjëherë nuk i kemi keqkuptuar rezervat e qeverisë dhe Parlamentit të Vendeve të Ulëta, por i kemi kuptuar ato si një inkurajim për të përmirësuar performancën tonë dhe për t’u bërë një vend sa më i denjë për t’u pranuar në familjen europiane. Fakti që edhe Ju, Komisioni për Çështjet Europiane dhe Dhoma e Përfaqësuesve jeni njohur dhe i keni vlerësuar këto arritje, është një motiv më shumë që Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e Shqipërisë t’i shumëfishojnë përpjekjet për të vazhduar rrugëtimin tonë europian, për të arritur dhe për të qëndruar në krah të shteteve anëtare të BE-së me standarte, dinjitet dhe vlera europiane. Shqipëria do të vazhdojë të avancojë në plotësimin e këtyre standarteve dhe do të bëhet një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian, e kësaj familjeje të madhe politike, kulturore dhe njerëzore.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.


Share