Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”

  • Postuar më, 16/06/2021

16 qershor 2021

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi projektligjin “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”.  Të ftuar në mbledhjen e komisionit për të dhënë sqarime dhe përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishte z. Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë dhe z.Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.  Projektligji është miratuar parimisht në shkurt të vitit 2021 dhe në mbledhjen e sotme u vijua me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të tij.  Relatori i projektligjit z. Alket Hyseni sqaroi ndër të tjera se nisma është një risi në legjislacionin e brendshëm të Republikës së Shqipërisë dhe synon zgjidhjen e disa problemeve ligjore me të cilat është ndeshur në praktikë ky shërbim si: përcaktimi i kushteve të licencimit;  kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimi i përkthyesve sipas fushave të tyre të përgjegjësisë; të drejtat dhe detyrimet e përkthyesit gjatë veprimtarisë së tyre; njohja ligjërisht e punës së përkthyesit duke pranuar dokumentin e përkthyer prej tij si zyrtar dhe jo të certifikuar nga një hallkë tjetër institucionale.

Pas pyetjeve, diskutimeve dhe sugjerimeve të ndryshme për ri-formulimin e neneve të caktuara, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share