Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi një projektligj dhe një akt normativ

  • Postuar më, 10/06/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Enver Roshi, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në cilësinë e komisionit përgjegjës, ne mbledhjen e sotme zhvilluar on line, mori në shqyrtim  projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për projektin “Aftësi për punë” faza 2, 2019- 2023”.

E ftuar për të dhënë shpjegime rreth marrëveshjes, ishte znj. Dajna Sorensen, zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Znj. Sorensen shpjegoi se, përmes kësaj marrëveshjeje, Konfederata Zvicerane parashikon t’i japë vendit tonë, deri më 30 gusht 2023, fonde në formën e grantit të parimbursueshëm, në vlerën maksimale prej 9.6 milionë frangash zvicerane (rreth 8.8 milionë euro). Këto fonde do të përdoren për realizimin e projektit “Aftësi për punë“, faza e dytë.

“Nga zbatimi i këtij projekti” shtoi znj. Sorensen “pritet që gratë dhe burrat në moshë të re nga të gjitha grupet sociale në Shqipëri të gjejnë mundësi të mira dhe fitimprurëse punësimi falë përmirësimit të aftësive. Rezultatet specifike të këtij projekti janë: - gratë dhe burrat në moshë të re kanë akses në arsim performues me orientim drejt tregut të punës dhe ofrimit të trajnimit në sektorë me potencial zhvillimi; - sektori privat merr përsipër përgjegjësinë për përcaktimin, ofrimin dhe financimin e arsimit e formimit profesional në nivel ofruesi”  Znj. Klodiana Spahiu, në cilësinë e relatores, theksoi se ratifikimi i marrëveshjes së propozuar me këtë projektligj është i domosdoshëm, pasi do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe formimit profesional të të rinjve, në përputhje me kërkesat në rritje të tregut të punës, si dhe zhvillimet e shkencës dhe teknologjisë. Financimi i projektit përmes grantit krijon lehtësi për buxhetin e shtetit, duke ndihmuar atë në orientimin e fondeve në sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan  në tërësi marrëveshjen në fjalë. 

Më tej komisioni në cilësinë e komisionit plr dhënie mendimi, vijoi me shqyrtimin e Aktit normativ nr. 21, datë 19.5.2021 “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes së furnizimit, ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET A.S”. Për të dhënë shpjegime për pyetjet e anëtarëve, në komision  ishte e  pranishme dhe Znj. Mira Rakacolli, Zv. Ministre e Shëndetësisë. Me anë të kësaj marrëveshjeje synohet të furnizohet Republika e Shqipërisë me doza shtesë të vaksinës CoronaVac Covid-19 (Vero Cell), të inaktivizuar të zhvilluar nga Sinovac Life Sciences Co., Ltd. dhe prodhuar në Republikën Popullore të Kinës dhe vaksinën CoronaVac 600SU / 0.5 ml pezullim IM për shishe injeksion 0.5 ml që përmban substancën e inaktivuar SARS-CoV-2 të zhvilluar nga Sinovac Life Sciences Co., Ltd. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan projektin në fjalë.


Share