Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi 1 projektligj dhe 3 Akte normative

  • Postuar më, 10/06/2021

10 qershor 2021

Në drejtimin e kryetari z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi 1 projektligj dhe 3 akte normative, që lidhen me menaxhimin e situatës së pandemisë Covid-19.

Fillimisht pas miratimit të draft-kalendarit të punimeve të komisionit për periudhën 14 qershor - 2 korrik 2021, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për projektin “Aftësi për punë” faza 2, 2019-2023”. Në komision, për të prezantuar projektligjin dhe për të dhënë shpjegime për pyetjet e deputetëve, ishin të pranishëm znj. Dajana Sorensen, Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, si dhe stafi teknik  i MFE. Znj.Sorensen gjatë prezantimit të projekt-aktit u ndal tek qëllimi dhe risitë e këtij projektligji që synon ratifikimin e marrëveshjes mes Konfederatën Zvicerane, për fazën e 2 të projektit “Aftësi për punë”. Sipas zëvendësministres projekti synon një mbështetje të drejtpërdrejtë të 10 shkollave të arsimit të mesëm profesional në qarqet Vlorë, Shkodër, Lezhë, Berat, Tiranë dhe Elbasan. Më tej znj.Sorensen shpjegoi shtyllat e projektit duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek bashkëpunimi me sektorin privat, i cili merr përsipër përgjegjësinë për përcaktimin, ofrimin dhe financimin e arsimit e formimit profesional në nivel ofruesi dhe u garanton ofrimin e praktikave mësimore. Deputeti Edmond Leka në cilësinë e relatorit vlerësoi se projekti mbështet procesin e reformave në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve të kapitalit njerëzor dhe institucional e nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe përfshirjes sociale, si dhe fuqizimit të shtetit ligjor, përgjegjshmërisë dhe zbatimit të të drejtave të njeriut.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Më tej u shqyrtuan 3 akte normative, për të cilat ishte ftuar znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila prezantoi nismat ligjore për komisionin dhe iu përgjigj pyetjeve të deputetëve.  Gjatë shqyrtimit të Aktit normativ nr. 21, datë 19.5.2021 “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes së furnizimit, ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET A.S” dhe Aktit normativ nr. 22, datë 21.05.2021 "Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar të furnizimit, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin e Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “KEYMEN ILAÇ SANAYI VE TICARET” A.S.", znj.Rakacolli parashtroi se pavarësisht faktit se menaxhimi i pandemisë COVID-19 vijon të mbetet një sfidë globale, Shqipëria prej disa javësh fal procesit të vaksinimit dhe politikave menaxhuese ka një situatë të qëndrueshme epidemiologjike dhe rastet ditore tashmë janë ulur ndjeshëm. “Zgjidhja për ta ruajtur këtë situatë epidemiologjike padyshim është nxitja me ritme sa më të shpejta të procesit të vaksinimit”, u shpreh zëvendësministrja Rakacolli, duke shtuar më tej se vaksina “Coronavac” është përdorur për të vaksinuar me dozën e parë 280 000 persona dhe është toleruar mjaft mirë nga grupmosha 50-90 vjeç, pa efekte të rënda anësore. Për të vijuar me mbulimin me doza të dyta për totalin e 280 000 personave që kanë marrë dozën e parë të “Coronovac”, por edhe për shkak se ISHP ka vlerësuar se kjo vaksinë është efikase dhe komode në përdorim, për shkak të flakonëve 1-dozësh për person dhe kushteve të ruajtjes, synohet tu hapet rrugë marrjes së dozave më të mëdha se sa janë parashikuar në marrëveshjen fillestare. Deputetja Elena Xhina në cilësinë e relatores vlerësoi se aktet normative janë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe ftoi kolegët ti miratojnë ato. Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi 2 aktet normative në fjalë.

Më tej u shqyrtua Akti normativ nr. 23, datë 26.05.2021 “Për disa ndryshime në Aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar”. Znj.Rakacolli sqaroi se në kushtet e përmirësimit të situatës dhe uljes së numrit të rasteve të të sëmurëve nga COVID-19, si dhe në kushtet kur orari i ndalimit të lëvizjes është shtyrë deri në orën 23:00, shihet i nevojshëm ndryshimi i masës së heqjes së lejes së drejtimit për një periudhë 3-vjeçare dhe me bllokim të mjetit, duke lehtësuar masën dhe duke parashikuar në këtë akt normativ dënimin me masë plotësuese të bllokimit të mjetit për një periudhë prej 30 ditësh. Po ashtu, Akti normativ nr.23 synon lehtësimin e shtetasve, të cilët më parë janë penalizuar me masë deri në 3 vite duke iu kthyer leja e drejtimit për ata shtetas që kanë përmbushur afatin 30- ditor. Gjithashtu, akti normativ nr.23, parashikon ndryshimin e orarit të ndalimit të muzikës në mjediset e shërbimit, i cili do të përcaktohet rast pas rasti me urdhër të ministrit të Brendshëm, pas rekomandimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga “CoronaVirus”.


Share