Kuvendi votoi shkarkimin e Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 09/06/2021

9 qershor 2021

Kuvendi, në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi dy projektvendime:  projektvendimin “Për miratimin e raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” së bashku me anekset e tij” dhe projektvendimin “Për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkak të shkeljeve të rënda të Kushtetutës”.

Raporti i Komisionit Hetimor të Kuvendit u paraqit në seancë nga kryetari i këtij komisioni, z. Alket Hyseni, i cili argumentoi për shkeljet e rënda kushtetuese të Presidentit të Republikës. Në emër të grupit parlamentar demokrat z. Murrizi u shpreh se presidenti nuk e përfaqësonte unitetin kombëtar, që prej votimit dhe si i tillë, ai e shpalli votën e tij pro shkarkimit. Në emër të grupit parlamentar socialist, z. Taulant Balla, deklaroi po ashtu se Presidenti i Republikës nuk e përfaqësonte unitetin kombëtar, se ndjente keqardhje për vitet e gjata të bashkëpunimit dhe këmbënguli te domosdoshmëria e votimit pro shkarkimit. Ai e vlerësoi si profesional raportin e komisionit hetimor dhe bëri Presidentin e Republikës përgjegjës të nxitjes së episodeve të dhunës në Elbasan. Me 107 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenim, Kuvendi e miratoi raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor.

Më tej, për projektvendimin “Për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkak të shkeljeve të renda të Kushtetutës”, sipas kërkesës së paraqitur nga grup deputetësh, u votua përmes procedurës së votimit me kuti. Sekretariati i Votimeve, i drejtuar nga z. Alket Hyseni, në shpalljen e procesverbalit deklaroi se në 114 pjesëmarrës të pranishëm në votimin nominal me kuti, 114 fletë u gjetën të vlefshme, mes të cilave 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim. Seanca plenare, në vijim të masave protokollare, u zhvillua në kushte të posaçme. 



Share