Mblidhet Komisioni hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 26/05/2021

26 maj 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Alket Hyseni, Komisioni hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” zhvilloi mbledhjen e tij të nëntë, e cila nisi me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 25 maj 2021.

Pika e dytë e rendit të ditës ishte deklarimi i përfundimit të hetimeve dhe miratimi i vendimit të ndërmjetëm. “Sipas përcaktimeve të nenit 19 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore”, po ashtu sipas nenit 23 të Rregullores së brendshme të funksionimit të veprimtarisë së komisionit hetimor, me përfundimin e hetimeve bëhet deklarimi i përfundimit të hetimeve me vendim të ndërmjetëm”, shpjegoi kryetari Hyseni, i cili shtoi se vendimi përmban dy elementë: deklarimin e përfundimit të hetimeve dhe afatin për hartimin e raportit.   Vendimi i ndërmjetëm u miratua nga shumica e anëtarëve të komisionit, të pranishëm në mbledhjen e sotme.

Më pas bashkë-relatorja znj.Klotilda Bushka informoi komisionin për punën e deritanishme të relatorëve dhe se si do të hartohet draft-raporti i komisionit hetimor, i cili do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës. “Duhet bërë padiskutim një analizë dhe duhen parë provat e administruara në këtë proces edhe në funksion të dhënies së përgjigjeve në lidhje me këtë çështje. Kjo ka të bëjë me faktin se Komisioni duhet të ketë një qartësi mbi natyrën e këtyre shkeljeve dhe referuar akteve që kemi administruar, legjislacionit që kemi studiuar dhe që është administruar në këtë proces hetimor, ne do ti referohemi disa çështjeve për vlerësimin e natyrës së shkeljeve që kanë të bëjnë me qëllimin e veprimeve apo akteve që përbëjnë shkelje; rëndësia e çështjeve apo të drejtës së shkelur; konsistenca në kryerjen e akteve apo veprimeve që përbëjnë shkelje ose përsëritja e tyre; impakti, pasojat që sjellin këto veprime; si dhe sjellja e Presidentit  të Republikës përkarshi atyre që pretendohen shkelje. Të gjitha këto bazuar në aktet dhe provat e administruara në këtë proces hetimor dhe në përputhje me të gjithë legjislacionin e zbatueshëm në rastin konkret, i cili siç e thashë më parë do të listohet i gjithi në përmbajtjen e raportit”, sqaroi znj.Bushka. Më tej kryetari Hyseni sugjeroi që gjuha e raportit duhet të jetë sa më e thjeshtë për tu kuptuar nga publiku. “Ky është një rast i veçantë, një procedurë e veçantë, të cilës ne i kemi qëndruar strikt nga pikëpamja procedurale dhe do i qëndrojmë strikt deri në fund të detyrës sonë, por në fund ne duhet të prodhojmë akte dhe qëndrime, të cilat duhet të jenë të thjeshta për tu kuptuar nga opinioni i gjerë”, u shpreh z.Hyseni. Sipas kalendarit të punimeve, mbledhja e radhës së komisionit do të jetë ditën e premte, datë 28 maj 2021.


Share