Mblidhet Komisioni Hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 25/05/2021

25 maj 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Alket Hyseni, Komisioni Hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” zhvilloi mbledhjen e tij të tetë, e cila nisi me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 24 maj 2021.

Pika e dytë e rendit të ditës ishte diskutimi nga ana e anëtarëve të komisionit i provave të administruara për objektin e hetimit.  Fillimisht znj.Klotilda Bushka sqaroi për anëtarët e komisionit se pas përfundimit të administrimit të provave të kërkuara gjatë procesit të hetimit “jemi në fazën e diskutimit mbi bazën e provave , pasi në kuptimin procedural hetimi është mbyllur. Ne nuk do të kërkojmë më prova të tjera apo nuk kemi në nevojë për të hulumtuar” .  Më tej diskutimet e anëtarëve të komisionit u përqendruan në gjykimin e tyre nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti, gjatë fushatës dhe ditën e heshtjes zgjedhore dhe në 25 prill, si në ditën e heshtjes zgjedhore, përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Gjatë diskutimeve, anëtarët e komisionit u shprehën se deklaratat publike të Presidentit për periudhën objekt hetimi,  përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës pasi: nxitin gjuhën e urrejtjes dhe dhunës, dëmtojnë imazhin dhe reputacionin të vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë,  janë tejkalim i kompetencave kushtetuese të Presidentit, etj.

Në përfundim të diskutimeve, rendi i ditës së komisionit vijoi me caktimin e dy relatorëve. Me propozim të z.Hyseni, me shumicë votash bashkë-relatorë u caktuan znj. Klotilda Bushka, si përfaqësuese e mazhorancës dhe z.Arlind Çaçani, si përfaqësues i opozitës parlamentare.

Sipas kalendarit të punës, mbledhja e radhës e komisionit hetimor do të jetë më datën 26 maj 2021, ku do të diskutohet draft-raporti i komisionit hetimor. 


Share