Mblidhet komisioni hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 17/05/2021

17 maj 2021

Në drejtimin e kryetarit  z. Alket Hyseni, Komisioni Hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” zhvilloi mbledhjen e tij të radhës.

Në nisje të mbledhjes, z.Artan Spahiu, eksperti i dytë ligjorë i caktuar nga komisioni, pranoi zyrtarisht detyrën e ngarkuar dhe u njoh me objektin e hetimit.

Pika e tretë e rendit të ditës ishte prezantimi i informacionit zyrtar të ardhur nga institucionet shtetërore dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive me kërkesë të komisionit. Gjatë mbledhjes, për anëtarët u shfaqën sekuenca filmike të deklaratave publike në studio televizive të Presidentit të Republikës para dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe disa postime në rrjetin social “Facebook”.

Më tej znj.Bushka, në cilësinë e sekretares së komisionit, njohu në mënyrë më të detajuar anëtarët  me deklaratat e bëra nga Presidenti, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe ditën e heshtjes zgjedhore, të cilat janë përmbledhur në kërkesën e nënshkruar nga 49 deputetë të Kuvendit, çka u bë dhe shkak për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.

Gjatë diskutimeve deputeti Edmond Stojku, duke marrë shkak nga precedenti i Presidentit lituanez, sugjeroi që të përfshihen në hetim edhe pretendimet e mediave në lidhje me lëshimin e nënshtetësive, por kjo nuk u pranua nga kryetari i komisionit, z. Alket Hyseni, i cili u shpreh se një kërkesë e tillë nuk përfshihet në objektin e punës së komisionit të hetimit, por mund ti kërkohet informacion shtesë zyrës së Presidentit për këtë çështje.

Në mbledhjen e radhës së komisionit hetimor, e caktuar për nesër (datë 18 maj 2021) është thirrur Presidenti i Republikës për të dhënë sqarime lidhur me objektin e hetimit, si dhe do të vijojë shqyrtimi i materialeve të ardhura nga AMA.


Share