Komisioni për Integrimin Evropian miratoi në parim një projektligj

  • Postuar më, 17/05/2021

17 maj 2021

Komisioni për Integrimin Evropian, në drejtimin e nënkryetares, znj. Senida Mesi, miratoi parimisht në mbledhjen e sotme projektligjin “Për të huajt”. Komisioni e shqyrtoi këtë projektligj në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi. I pranishëm në mbledhjen e sotme për paraqitjen e projektligjit ishte zëvendësministri i Brendshëm, z. Julian Hodaj, dhe drejtues të tjerë lartë të kësaj ministrie.

Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 10 maj, zëvendësministri Hodaj listoi për komisionin disa nga risitë e projektligjit. Ai u shpreh se projektligji vjen si paketë e planifikuar nga Këshilli i Ministrave në Programin Analitik 2020, që së bashku me ligjin për shtetësinë dhe azilin, disiplinojnë trajtimin e të huajve në të gjitha aspektet. Puna për projektligjin, sipas zëvendësministrit Hodaj, datonte prej majit të vitit 2020. Ligji, sipas zëvendësministrit, sjell rregullimin e regjimit të hyrjes, të qëndrimit, të punësimit dhe të daljes të të huajve në dhe nga Republika e Shqipërisë; përafrimin e legjislacionit për migracionin, me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian; përmirësimin e fushës të të drejtave të të huajve, në drejtim të mbrojtjes së emigrantëve dhe anëtarëve të tyre të familjes, refugjatëve, azilkërkuesve; garantimin e hyrjes në programe dhe shërbime integrimi për të huajt; përmirësimin e  mekanizmave të nevojshëm për lëshimin e vizave elektronike online, etj. Pas diskutimeve dhe sugjerimeve nga deputetët e pranishëm në komision, komisioni e miratoi projektligjin në parim dhe disa prej neneve të tij. Në mbledhjen e radhës së komisionit do të vijohet me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit në fjalë.

Në vijim të zbatimit të masave protokollare antiCovid, edhe mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, Cisco Webex.

 


Share