Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 17/05/2021

17 maj 2021

Në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje. Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin ‘Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve (DKTI)’”. Projektligji u prezantua për komisionin nga z.Eltar Deda, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit në Fushën e Infrastrukturës dhe Territorit , në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe u relatua nga deputetja Klotilda Bushka.

Z. Deda shpjegoi për anëtarët e komisionit elementët kryesor të kësaj marrëveshjeje, termat e kredisë së butë me KfW dhe rëndësinë e këtij investimi në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Sipas z.Deda objektivi i përgjithshëm i këtij programi është dhënia e kontributit për një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta përmes investimeve në infrastrukturën e mbetjeve të ngurta, harmonizimi i standardeve me ato të BE, si edhe  përmirësimi i kushteve mjedisore dhe jetesës së popullsisë. “Sistemi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta, i cili do të zbatohet, duhet të jetë i plotë, si nga ana mjedisore ashtu edhe nga ajo teknike, në bazë të standardeve të BE-së. Për më tepër, ai duhet të përshtatet me nevojat dhe kapacitetet në zonën ku do të shtrihet projekti për sa i përket menaxhimit institucional, operimit dhe mirëmbajtjes së impianteve rajonale të trajtimit të mbetjeve, si dhe gjithë infrastrukturës së grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve”, u shpreh z.Deda. Relatorja Klotilda Bushka vlerësoi se projektligji është në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe legjislacionin në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare dhe ftoi anëtarët e komisionit ta miratojnë atë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.  

Më pas në cilësinë e komisionit përgjegjës u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. I ftuar në mbledhjen e komisionit për prezantimin e projekt-aktit ishte z.Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë, i cili u ndal në mënyrë të veçantë tek objektivat kryesorë të ratifikimit të traktatit të ekstradimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Objektivat kryesore të marrëveshjes në fjalë lidhen me krijimin e një kuadri të ri rregullativ, në lidhje me aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të marrëveshjes;lehtësimin e funksionimit të procesit të ekstradimit ndërmjet palëve, lidhur me ekstradimin e shtetasve të tyre përkatëse;  garantimin e bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet palëve për luftën ndaj krimit;  si dhe eliminimin e pengesave ligjore ndaj ekstradimit të shtetasve të shtetit të kërkuar, për ndjekje penale, ose për kryerjen e dënimit në shtetin kërkues, duke marrë masat e nevojshme për kryerjen e këtij ekstradimi”, u shpreh zëvendësministri Karameta.

Deputetja Klotilda Bushka në cilësinë e relatores vlerësoi se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe duke theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, ftoi kolegët e komisionit ta miratojnë atë. Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.


Share