Mblidhet komisioni hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, caktohen dy ekspertë ligjorë

  • Postuar më, 14/05/2021

14 maj 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Alket Hyseni, Komisioni Hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku u miratua plani përfundimtar i hetimit dhe u caktuan dy ekspertë ligjorë për marrjen e ekspertizës që kërkon njohuri të posaçme sipas objektit të hetimit.

Në nisje të mbledhjes, z.Hyseni sqaroi komisionin se në vijim të kërkesave për informacion pranë Kuvendit kanë ardhur përgjigjet nga SHISH,Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Bashkia Tiranë, si dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Pas miratimit të procesverbaleve të  datave 8 dhe 11 maj 2021, me konsensusin e të gjithë anëtarëve të komisionit u miratua plani përfundimtar i hetimit.

Pika e tretë e rendit të ditës ishte caktimi i ekspertëve ligjorë për marrjen e ekspertizës që kërkon njohuri të posaçme sipas objektit të hetimit. Sekretarja e komisionit hetimor, znj.Klotilda Bushka propozoi z.Erind Mërkuri, si ekspertë ligjorë, ndërsa znj.Elena Xhina propozoi z.Artan Spahiu, të cilët u miratuan me konsensus nga të gjithë anëtarët e komisionit hetimor.

Znj.Bushka i parashtroi z.Mërkuri, i pranishëm në mbledhje, disa pyetje që do të jenë edhe në bazë të punës së ekspertëve, që do të asistojnë komisionin me doktrinë kushtetuese dhe ligjore.

“Kolegët tanë deputetë, në bazë të kërkesës të të cilëve, është nisur kjo procedurë për shkarkimin e Presidentit të Republikës bazuar në Kushtetutë, i janë referuar shkeljeve të Kushtetutës të parashikuara në nenin 86,89 dhe 94 dhe kjo do të jetë edhe fokusi i punës sonë; objekti i hetimit është në lidhje me këto shkelje. Duke pasur parasysh që ne si komision nuk kemi të gjithë njohuritë e doktrinës kushtetuese mbi këto dispozita, edhe puna e ekspertëve do të jetë që të ndihmojë këtë komision në interpretime në bazë të praktikës së Gjykatës Kushtetuese, standardeve më të mira ndërkombëtare siç e përmendi dhe z.Hyseni, opinioneve të Komisionit të Venecias apo raste të ngjashme në vende të tjera, të cilat japin sa më shumë informacion mbi standardet dhe mbi të drejtën”, u shpreh znj. Bushka. Afati  për përgjigjet e ekspertëve u caktua data 20 maj 2021, ndërkohë që sipas kalendarit të punës mbledhja e radhës së komisionit do të jetë më datë 17 maj 2021.


Share