Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 11/05/2021

Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e sotme zhvilluar on line mori në shqyrtim projektligjin: "Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës". I ftuar për të dhënë shpjegime  rreth projekt-aktit ishte z. Klajd Karameta, zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie. 

Z. Karameta, theksoi se, në draftin e traktatit, ndër të tjera, është bërë kategorizimi i veprave penale të aplikueshme, mbi bazën e masës së dënimit dhe jo të llojit të tyre, si dhe përfshirja e një numri të konsiderueshëm figurash të reja të veprave penale. Sa më sipër, në kuadër të përmirësimit të klimës në drejtësi, lind domosdoshmëria e krijimit dhe forcimit të një kuadri të ri rregullativ, sa i takon aplikimit të ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të traktatit të përmirësimit dhe lehtësimit të këtij procesi.

Në vijim, relatorja znj. Elona Hoxha, parashtroi objektivat kryesorë të kësaj marrëveshje të cilat konsistojnë, në krijimin e një kuadri të ri rregullativ, në lidhje me aplikimin e ekstradimit ndaj shtetasve të shteteve nënshkruese të traktatit; lehtësimin e funksionimit të procesit të ekstradimit ndërmjet palëve, në lidhje me ekstradimin e shtetasve të tyre përkatës; garantimin e bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet palëve, për të luftuar krimin; eliminimin e pengesave ligjore ndaj ekstradimit të shtetasve të shtetit të kërkuar, të kërkuar për ndjekje penale, ose për kryerjen e një dënimi në shtetin kërkues, duke marrë masat e nevojshme për ekstradimin e këtyre shtetasve.

Pas diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në  tërësi projektligjin në fjalë. 

Më tej, komisioni vijoi me shqyrtimin nen per nen të projektligjit “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknike”. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë


Share