Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 11/05/2021


Në drejtimin e kryetarit z. Ilir Beqja, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Ilir bejtja, , z. Gentian Kerri nga FSHZH dhe znj. Greta Gjoncaj Përgjegjëse Sektori.

Relatorja e këtij projektligji deputetja Eglantina Gjermeni në fjalën e saj tha se ky projektligj synon ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”.

Më tej, zëvendësministri Bejtja theksoi se ky program parashikohet të zgjasë rreth 4 vjet dhe sipas parashikimeve, programi i investimeve në kuadër të këtij projekti pritet të mbulojë një portofol total investimesh me vlerë deri në 50 milionë euro.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Çështja e dytë e rendit tw ditës që u shqyrtua në komision ishte projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010 "Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar", ku të ftuar ishin z. Ilir Bejtja zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe z. Mehmet Hasalami drejtor në MIE.

Pas diskutimeve, komenteve e sugjerimeve të ndryshme, ky projektligj u miratua nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës online “Cisco Webex”.

 



Share