Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, mori pjesë në Konferencën e 17-të, të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve Anëtare të Nismës Adriatiko - Joniane

  • Postuar më, 15/04/2021

15 prill 2021

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, mori pjesë në Konferencën e 17-të, të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve Anëtare të Nismës Adriatiko - Joniane.

Kjo konferencë u organizua online përmes videokonferencës nga Parlamenti i Sllovenisë. Konferenca u hap nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Igor Zorcic, i cili është njëkohësisht edhe Kryesuesi i Dimensionit Parlamentar të NAJ. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Italisë; z. Roberto Fico, Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Becic, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferri, Kryetari i Parlamentit të Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Ivica Dacic, përfaqësues të Sekretariatit Ndërkombëtar të NAJ si edhe delegacionet e shteteve anëtare të NAJ. Në konferencë mbajtën fjalë përshëndetëse Presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme,Gašper Dovžan.Tema e debatit të përgjithshëm të konferencës ishte “Drejt një Shoqërie Dixhitale – Mundësi dhe Sfida për Brezin e Ri që Hyn në Tregun e Punës” gjatë të cilit mbajti një fjalim edhe Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Hysi.

Në fjalën e saj znj. Hysi theksoi se “Dixhitalizimi i shoqërisë po ndodh në shkallë globale dhe shpesh konsiderohet forca më e madhe e ndryshimit në shoqëritë tona. [...]Dixhitalizimika transformuar aftësinë tonë për të komunikuar; ka hapur mundësi të reja punësimi; ka rritur mundësinë për të shkëmbyer informacione, gjithashtu, po lind një monedhë dixhitale e cila i bën shkëmbimet financiare më të shpejta dhe më të lehta. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për efektet negative të dixhitalizimit si: varësia nga një burim informacioni jo i besueshëm, rreziku i hakerimit të të dhënave, vështirësi në socializim e zbehje e ndjenjës se komunitetit, si edhe keqpërdorimi i informacionit. Si parlamentarë, përmes punës sonë legjislative duhet të përqendrohemi dhe të përfshihemi shumë aktivisht për të zvogëluar ndikimin negativ të dixhitalizimit në shoqëritë tona.”

Në fund të konferencës delegacionet e pranishme në konferencë miratuan një Deklaratë të Përbashkët.


Share