Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi dy Akte Normative

  • Postuar më, 12/04/2021

12 prill 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Enver Roshi, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen e sotme zhvilluar on line, mori në shqyrtim Aktin normativ nr. 9, datë 22.03.2021 "Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Shtetit për Rindertimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar "Keymen Ilaç Senayi Ve Ticaret", A.S, Për funizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër Covid - 19 (Vero Cell) CORONAVAC, të krijuar nga Sinovac Life Science CO, LTD dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës" dhe Aktin normativ nr.10, datë 24.03.2021 "Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar "Keymen Ilaç Senayi Ve Ticaret", A.S, Për funizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër Covid - 19 (Vero Cell) CORONAVAC, të krijuar nga Sinovac Life Science CO, LTD dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës". Të dy aktet normative i parashtroi para komisionit znj. Mira Rakacolli, zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të cilat shpjegoi paraprakisht se, të dyja marrëveshjet  janë të lidhura, pasi bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje. Akti i parë është për miratimin e tekstit, i dyti është për miratimin e marrëveshjes. Znj. Rakacolli sqaroi më tej se, me qëllim parandalimin e infektimit me Sars-Cov-2, qeveria shqiptare ka bërë përpjekjet maksimale për sigurimin e vaksinave anti-covid. Aktualisht është furnizuar nga kompania Pfizer dhe AstraZeneca, të cilat u alokuan nëpërmjet mekanizmit Covax dhe nëpërmjet marrëveshjes së firmosur me Pfizer. Shqipëria i ka hapur rrugë përdorimit në popullatë të vaksinave që kanë marrë një aprovim për përdorim në popullatë nga EMA dhe FDA ose nga trupa të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksinën. Zhvillimet në dinamikë të procesit të vaksinimit në mbarë botën kanë bërë që shumë vende të kenë vëmendje të shtuar edhe ndaj vaksinave të tjera të prodhuara në vende si Republika Popullore e Kinës apo Federata Ruse.

“Qëllimi i këtyre projekt-akteve është miratimi, i marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar "Keymen llac; Sanayi ve Ticaret", A.S. për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd. dhe të prodhuara në Republikën Popullore të Kinës”, shtoi znj. Rakacolli.

Edhe dy relatoret e projet-akteve, znj. Edlira Bode dhe znj. Klodiana Spahiu shprehën dakortësinë e tyre dhe ftuan anëtarët t’i miratojnë marrëveshjet në fjalë.

Në përfundim anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi të dy marrëveshjet.

 

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës “CISCO WEBEX”


Share