Komisioni për Sigurinë Kombëtare rrëzoi një dekret presidencial dhe miratoi një akt normativ

  • Postuar më, 09/04/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e sotme zhvilluar on line, mori në shqyrtim Dekretin e  Presidentit të Republikës nr.12.055, datë 26.03.2021 "Për kthimin e ligjit nr. 30/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”. Për të parashtruar arsyet e kthimit të ligjit në fjalë nga ana e institucionit të Presidentit, në komision ishte i pranishëm këshilltari ligjor i Presidentit, z. Bledar Dervishaj. I pranishëm gjithashtu në komision ishte z. Besfort Lamallari, zëvendës ministër dhe njëkohësisht ministër i deleguar në Ministrinë e Brendshme. Z. Dervishaj evidentoi se kjo është ndërhyrja e tretë që i bëhet ligjit,  brenda një kohe të shkurtër. “Ndryshime kaq të shpeshta të ligjeve të tilla me kaq rëndësi, tregojnë ose për gabime në procesin legjislativ në momentin fillestar të miratimit të ligjit bazë, dhe që tashmë duhet të ishte pranuar nga nismëtarët e të ishin nxjerrë përgjegjësitë për dështimin e kësaj nisme, ose për një qëllim politik për ta mbajtur procesin e vetting-ut në polici të hapur për një kohë të gjatë, me qëllim pasjen e një mekanizmi presioni, intimidimi dhe shantazhi përkundrejt trupës policore” u shpreh z. Dervishaj në vijim të paraqitjes së argumentave të dekretit. Nga ana e tij z. Lamallari sqaroi se projekti erdhi si një nismë e disa deputetëve dhe kundërargumentoi se proçesi i vettingut i shërben integritetit të punonjësve të agjencive ligjzbatuese dhe qëllimi i kësaj nisme qëndron në riorientimin e energjive  dhe fokusimin në vetimin sa më shpejt të trupës vlerësuese të SHÇBA-së, për të vijuar me gjithë trupën policore. Për sa i përket shpenzimeve financiare, në cilësinë e relatores znj. Antoneta Dhima sqaroi se, në rastin konkret nuk konstatohen  rritje të shpenzimeve dhe i cilësoi disa nga argumentat e institucionit të Presidentit edhe si të tilla “të mos përligjin të drejtën kushtetuese për përçimin e frymës së bashkimit duke përcjellë supozime të paqëna”. Edhe kryetarja e komisionit, znj. Felaj, theksoi se, me miratimin e  ligjit nr. 30/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar” “kemi bërë gjënë e duhur për të siguruar qëllimin në radhë të parë të integritetit të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe besueshmërinë e qytetarëve”

Më tej anëtarët me shumicë votash, rrëzuan dekretin në fjalë, të Presidentit. 

Komisioni vijoi me shqyrtimin e Aktit normativ ”Për një ndryshim në ligjin 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar. Z. Lamallari sqaroi qëllimin dhe synimet e këtij projektakti: “Për të shmangur grumbullimet publike të shtetasve për marrjen e shërbimit në sportelet e gjendjes civile si dhe në zyrat e kompanisë “Aleat” për aplikimin dhe marrjen e letërnjoftimeve në situatën e krijuar për shtetasit që nuk kanë një letërnjoftim të vlefshëm, propozohet që afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve të pavlefshme të zgjatet deri në datën 30./4/2021, për shkak të mundësimit të ushtrimit të së drejtës Kushtetuese të votës”. Në perfundim anëtarët miratuan ndryshimet e propozuara në aktin normativ në fjalë. 


Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share