101-vjetori i miratimit të Rregullores së Parë të Kuvendit, zhvillohet konferenca shkencore ndërkombëtare

  • Postuar më, 05/03/2021

5 mars 2021

U zhvillua në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, si bashkëpunim mes Kuvendit, prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe ambasadës së Zvicrës, me kontributin e Universitetit të Tiranës dhe Albanian University, konferenca shkencore ndërkombëtare online “Roli i parlamenteve në vendimmarrjen publike në të shkuarën dhe në të tashmen në Shqipëri”. 

Si vazhdim i veprimtarive të 100-vjetorit te parlamentarizmit shqiptar, Konferenca u organizua me rastin e 101-vjetorit të miratimit të Rregullores së Parë të Kuvendit të Shqipërisë.

Në konferencë morën pjesë drejtues e deputetë të Kuvendit dhe parlamenteve partnere, si ai italian dhe austriak, akademikë, studiues, ekspertë dhe profesorë nga universitetet e huaja dhe organizatat ndërkombëtare.  

Konferenca u moderua nga akademiku z. Kosta Barjaba, Drejtor i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit.

Në përshëndetjen, në emër të Kryetarit të Kuvendit, Zëvendëskryetarja, znj. Vasilika Hysi, në fillim të fjalës së saj, bëri me dije që konferenca ishte parashikuar një vit më parë, por pandemia i kufizoi mundësitë e mbajtjes së saj. Znj. Hysi uroi mbarëvajtjen e punimeve dhe shprehu kënaqësinë për nivelin dinjitoz të partnerëve në këtë konferencë, ku veçoi rëndësinë e OSBE-së, ambasadës zvicerane dhe veçanërisht Agjencisë Zvicerane për Zhvillim, bashkëpunimin me parlamentet e vendeve mike si Italia dhe Austria, bashkëpunimin e rëndësishëm me dy universitetet shqiptare, Universiteti i Tiranës  dhe Albanian University, si edhe bashkëpunimin me Seksionin e Arkivave të Partive Politike dhe Parlamenteve në Komisionin Ndërkombëtar të Arkivave dhe Komisionin Ndërkombëtar për Historinë e Institucioneve Përfaqësuese dhe Parlamentare. Znj. Hysi shprehu edhe disa konsiderata vetjake, nisur nga përvoja 12-vjeçare si ligjvënëse, duke u përqëndruar kryesisht te Rregullorja, të cilën e konsideroi si dokument bazë të Kuvendit, që përbën një arritje politike pasi përherë ndryshimet në të kanë përfaqësuar konsensusin politik mes krahëve. 

Rregullorja e vitit 1991, shprehu në fjalën e saj Zëvendëskryetarja Hysi, reflektoi ndryshimet e mëdha që solli pluralizmi dhe u përshtat me dispozitat kushtetuese; edhe Kushtetuta e vitit 1998 solli ndryshime, që institucioni t’u përgjigjej ndryshimeve politike, kuadrit ligjor dhe integrimit.  Përvojën e përftuar nga njera legjislaturë në tjetër, duke shtuar edhe orientimet, ekspertizën dhe rekomandimet e ardhura si nga eskpertiza vendase dhe ajo e huaj, e si nga OSBE, znj. Hysi i konsideroi përvojë shumë pozitive për institucionin, pasi kjo vërehet edhe nga qëndrueshmëria që pati Rregullorja me ndryshimet e vitit 2004. 

Ndërsa, duke u ndalur te ndryshimet e vitit 2019, znj. Hysi cilësoi se ato erdhën si domosdoshmëri për kërkesat e reja në kuadër të integrimit, rekomandimeve nga KE, GRECO, programi IPA, Agjenda 2030, çështje të integrimit gjinor dhe të lidhura me kodin e sjelljes së deputetëve, duke e bërë rregulloren bashkëkohore dhe edhe më të qëndrueshme. 

Znj. Hysi u ndal edhe te pengesat e paraqitura nga situata si pandemia dhe tërmeti, por ajo shtoi se këto pengesa u ndjenë vetëm për një periudhë dyjavore, pasi Kuvendi u vendos në pararojë të rajonit dhe Evropës duke vijuar punimet online, pa penguar procesin ligjvënës dhe të kontrollit parlamentar. Qasja digjitale për funksionin legjislativ dhe arkiva parlamentare, sipas znj. Hysi, përbëjnë objektivat e së ardhmes, që do e shëndoshnin edhe më tej transparencën.

Konferencën, më tej, e përshëndeti kryetari i prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadori Vicenzo del Monaco. Ai e konsideroi aktivitetin një mundësi për të festuar arritjet e 101-vjetorit dhe për të gjetur energji për të ardhmen, duke vlerësuar punën e deputetëve, ekspertëve ligjorë dhe botës akademike. Z. Del Monaco konsideroi se Kuvendi ka përfaqësuar vlera të larta të transparencës, ekspertizës, të demokracisë, që duke shtuar edhe gjithpërfshirjen, paqen dhe sigurinë, shprehu se përputhja me misionin e vetë OSBE-së bëhej e plotë. Z. Del Monaco vuri theksin te lidhja e fortë mes OSBE-së dhe Kuvendit, pasi jeta parlamentare e Shqipërisë mbetej përparësi kyçe në programin e prezencës në Shqipëri, që prej ndryshimeve të asistuara në vitin 2004, kohë të cilën e konsideroi si një sukses të ardhur nga bashkimi i forcave mes Kuvendit dhe OSBE-së. Ai vlerësoi produktet konsensuale në rregullore dhe marrjen në konsultim të praktikave më të mira nga Franca, Austria dhe Italia, duke pasqyruar kontekstin shqiptar. Z. Del Monaco e çmoi si arritje aftësinë që Kuvendi tregoi me përshtatjen e nevojave të reja të paraqitura përgjatë pandemisë, duke e vlerësuar dhe duke përmendur edhe se kjo arritje u vlerësua si nga raporti i porgresit të vitit 2020, aq edhe nga raporti i ODHIR-it në Varshavë. Ai dha urime edhe në emër të ambasadës zvicerane. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr.Artan Hoxha dhe Prof. Dr. Kaliopi Naska, rektore e AU-së, përshëndetën po ashtu konferencën dhe bënë disa shtjellime historike të rrugëtimit në kohë të Rregullores së Kuvendit. Në konferencë referuan edhe Prof. Dr. Valentina Duka, e cila foli mbi veprimtaritë proceduriale të parlamenteve shqiptarë, Dr. Mario Di Napoli, që u ndal te ndikimi i pandemisë në jetën parlamentare të Italisë, Dr. Gunther Schefbeck, që solli shembullin e parlamentit  austriak, por bëri edhe një trajtesë tërësore të parlamentarizmës. Në panelin e dytë dhe të tretë, të moderuar nga znj. Eva Tafili dhe znj. Nebiu, ligjëruan përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile, akademikë dhe funksionarë nga parlamentet. 

Konferenca e sotme, në vijim të masave antiCovid, i zhvilloi punimet online përmes platformës “Zoom”.



Share