Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një marrëveshje

  • Postuar më, 05/03/2021

5 mars 2021

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin nga Kuvendi të marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut”. Të ftuar në mbledhjen e Komisionit për paraqitjen e projektligjit ishin: z. Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, znj. Joniada Barjaba, Drejtore e Integrimit, Koordinimit të Marrëveshjeve dhe Asistencës në MFE dhe z. Alban Mësonjësi, Drejtor Juridik në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Projektligji u prezantua nga znj. Bajraba, e cila sqaroi se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje synon sigurimin e vijimit të bashkëpunimit dhe vazhdimin e tregtisë ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me të njëjtat kushte preferenciale dhe pas daljes së saj nga Bashkimi Evropian.  Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda e Veriut kanë qenë palë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri – Bashkimi Evropian dhe, për këtë arsye, mallrat me origjinë britanike kanë qenë pjesë e trajtimeve preferenciale në kuadër të MSA-së. Deputetja Elena Gjina, në cilësinë e relatorit, vlerësoi rëndësinë e nismës dhe theksoi se projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligji në fjalë. Mbledhja e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale “Cisco Webex”. 


Share