Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi priti Zëvëndeskryeministren dhe Ministre e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, znj. Bisera Turkovic: Shqipëria mbështet integrimin euro-atlantik të Bosnje-Hercegovinës

  • Postuar më, 05/03/2021

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi priti Zëvëndëskryeministren dhe Ministre e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, znj. Bisera Turkovic, dhe delegacionin që e shoqëronte, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Z. Gramoz Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore mes vendeve tona.  “Shqipëria mbetet e gatshme për të intensifikuar bashkëpunimin politik dhe në të gjitha fushat, si rritja e investimeve reciproke, shtimi i shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimi në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë,  si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia etj. Shqipëria ka qenë gjithnjë në krah të Bosnje-Hercegovinës dhe do të vijojë të mbështesë fuqimisht sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social si edhe përparimin e saj në proceset euro-atlantike, duke qenë të vendosur kundër çdo përpjekje destabilizuese dhe retorike "separatiste" që vjen nga brenda dhe jashtë Bosnje-Hercegovinës. Shqipëria mbështet integrimin euro-atlantik të Bosnje-Hercegovinës, si pjesë e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në Ballkan e më gjerë dhe është e gatshme të ofrojë përvojën e saj në këtë drejtim.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi.

Z. Ruçi shprehu mirënjohjen për anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, zotërinjtë Džaferovic dhe Komšic, të cilët  në shtator 2020, vendosën në tryezën e Presidencës së këtij vendi, propozimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe inkurajoi vijimin e këtyre përpjekjeve, pavarësisht kundërshtimit të anëtarit serb të Presidencës, z. Milorad Dodik.

Zëvëndeskryeministrja dhe Ministre e Punëve të Jashtme, znj. Bisera Turkovic falenderoi Kryetarin Ruçi për mikpritjen. “Jam mahnitur nga përparimet që ka bërë Shqipëria. Ju falenderojmë për mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social dhe përparimin drejt integrimin euro-atlantik të Bosnje-Hercegovinës. Situata jonë e brendshme është e trazuar dhe i ngjan një deti me dallgë, por kemi besim se do të ecim të sigurt drejt zhvillimit, progresit dhe Bashkimit Europian. Ne jemi gjithashtu për mbështetjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.”, vuri në dukje znj. Turkovic.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe Zëvëndeskryeministrja dhe Ministre e Punëve të Jashtme, znj. Bisera Turkovic,  biseduan edhe mbi mbështetjen e komunitetit boshnjak në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Bosnje-Hercegovinë, si ura të sigurta për fuqizimin e miqësisë midis dy vendeve.

 

 


Share