Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi një marrëveshje

  • Postuar më, 04/03/2021

4 mars 2021

Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së partneriteti, tregtisë dhe bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë dhe Irlandës së Veriut”. Të pranishëm në komision për paraqitjen e projekt-marrëveshjes ishin tre zëvendësministra, z. Agron Tare, zëvendësministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme; znj. Ermira Gjeçi, zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe z. Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.

Zëvendësministri Tare e konsideroi të nevojshme marrëveshjen, në kushtet e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, si edhe u shpreh se ky ratifikim vjen në vijim të rëndësisë që ka partneriteti i vendit tone me ato vende, duke e ruajtur dhe shëndoshur marrëdhënien me Mbretërinë e Bashkuar. Znj. Gjeçi, u ndal teknikisht në disa rivlerësime të bëra me disa kapituj të lidhur me fushat e veprimtarisë që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe shtoi se ka ende potenciale të pazhvilluara për t’u shfrytëzuar, e shprehur në vëllimin e eksport-importeve, sa i takon thellimit të bashkëpunimit ekonomik. Z. Kadia, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave i dha rëndësi thellimit të shkëmbimeve tregtare dhe eksporteve, duke ruajtur trajtimin tarifor preferencial reciprok, të njëjtë me atë që ekzistonte me Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të MSA, kur ishte pjesë e BE-së. Mbështetje për projekt-marrëveshjen dha edhe relatori Ervin Bushati, që uroi që konfigurimi i ri i politikës së jashtme britanike, me rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor, të rrisë potencialin edhe nga pikëpamja ekonomike e jo vetëm diplomatike dhe politike.

Mbledhja e sotme, në respekt të masave protokollare antiCovid, u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, Cisco Webex. 


Share