Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje
- Postuar më, 02/03/2021

2 mars 2021
Komisioni për Politikën e
Jashtme, në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, pas miratimit të
procesverbaleve të dy mbledhjeve të mëparshme dhe kalendarit të punimeve të
muajit mars, vijoi në mbledhjen e sotme me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi
të projektligjit të ardhur si propozim i deputetit Adnor Shameti, i miratuar në
parim në mbledhjen e mëparshme. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në
ligjin nr. 115/2017 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës” lidhej me
disa procedura prokurimi publik, që kërkonin mbushjen e një hapësire të lënë
bosh në ligjin ekzistues për të lehtësuar aktivitetin e Ministrisë së Diasporës
dhe konkretisht të kësaj agjencie. Ndryshimet, që nuk kishin efekte financiare
e që kishin dakordësinë mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Diasporës
dhe propozuesit të këtyre ndryshimeve, z. Adnor Shameti, me mbështetjen e
relatorit për komisionin, z. Alket Hyseni, gjetën mbështetjen me votë nen për
nen dhe në tërësi si projektligj.
Më tej, në cilësinë e komisionit
për dhënie mendimi, komisioni vijoi me shqyrtimin dhe më pas miratimin e
projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e vitit
1988 në lidhje me Konventën Ndërkombëtare për sigurinë e jetës në det, 1974”,
që u paraqit në komision nga zëvendësministri Etjen Xhafaj. Z. Xhafaj u shpreh
se projektligji synon të plotësojë kuadrin ligjor në fushën e Sigurisë
lundrimore, duke amenduar konventën “Për Sigurinë e Jetës në Det (SOLAS) 1974”.
Objektivi kryesor i konventës SOLAS, sipas asaj që zëvendësministri Xhafaj
prezantoi, është të specifikojë standardet minimale për ndërtimin, pajisjet dhe
funksionimin e anijeve, në përputhje me sigurinë e tyre, ku shtetet anëtare
janë përgjegjëse për të siguruar që anijet, nën flamurin e tyre, të jenë në
përputhje me kërkesat e saj dhe janë përcaktuar një numër certifikatash të
reja. Projektligji gjeti mbështetjen e relatores për komisionin, deputetes
Eglantina Gjermeni. Komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi
projektligjin.
Mbledhja e sotme e komisionit u
zhvillua përmes platformës “Cisco Webex”.