Kuvendi miratoi dy akte normative, një projektligj dhe një projektvendim

  • Postuar më, 01/03/2021

Pas interpelancës së kërkuar nga një grup deputetësh, që u zhvillua me ministrin e Brendshëm dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (e raportuar në publikimet paraardhëse të faqes zyrtare të Parlamentit), Kuvendi vijoi punimet e tij duke shqyrtuar e më pas miratuar dy akte normative, një projektligj dhe një projektvendim. Dy aktet normative të miratuara ishin: akti normativ nr. 4, datë 05.02.2021 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 "Për buxhetin e vitit 2021" dhe akti normativ nr. 5, datë 12.02.2021 "Për disa shtesa në ligjin nr.105/2014. “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” të ndryshuar". Projektligji i vetëm i shqyrtuar dhe i miratuar ishte "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, inc, “Për një ndryshim në marrëveshjen e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.123/2013”, të ndryshuar". Ndërsa, projektvendimi i miratuar në seancën e sotme ishte “Për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”. 

Lidhur me aktin normativ nr. 4, deputetët e shumicës qeveritare dhe disa diskutantë nga grupet parlamentare të opozitës parlamentare, e mbështetën, nisur nga argumentet e forcimit të procesit zgjedhor dhe përmbushjes së rekomandimeve të ndërkombëtarëve, për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Duke qenë se KQZ e kishte të pamundur ta përballonte nga buxheti i saj këtë teknologji, buxheti i shtetit bën shtimin me 2.42 miliardë Lekë, për të financuar projektin “Për identifikimin elektronik të zgjedhësit”. Ky investim, siç bënë me dije kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, z. Angjeli, si edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, nuk ndikon në parametrat makro, në borxh apo në deficit dhe mbështetet mbi pritshmëritë optimale të vitit 2021, që do të realizohen nga të ardhurat e tatueshme. Për diskutantë të tjerë të opozitës parlamentare, shuma e investimit ishte e lartë, e pajustifikuar, në kohën e gabuar e ku mund të përdorej për mirëmenaxhimin e pandemisë ose të politikave të vaksinimit. Ky akt normativ u miratua me 83 vota pro, 13 kundër dhe 3 abstenime.

AKti normativ nr.5 mundëson disa ndryshime në ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar”, duke shtuar Mbretërinë e Bashkuar në Iistën e vendeve të përcaktuara në Iigj, si vende nga të cilat mund të sillen barna në Republikën e Shqipërisë, nevojë kjo e dalë si domosdoshmëri në kushtet e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Akti normative nr. 5 u votua me 84 vota pro, 11 kundër dhe 4 abstenime.

Projektligji i vetëm i shqyrtuar dhe i miratuar ishte "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, inc, “Për një ndryshim në marrëveshjen e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në republikën e shqipërisë, miratuar me ligjin nr.123/2013”, të ndryshuar". Ky projektligj, lidhet me vendimmarrjen e qeverisë shqiptare, për shtyrjen me 100% të pagesës së çdo kësti mujor të tarifës së shërbimit të secilës pikë operimi për muajt shtator, tetor, nëntor nga Tarifa Vjetore e Shërbimeve të Pikës së Operimit për vitin 2020 si dhe shtyrjen e pagesës së këstit të prapambetur në muajin gusht dhe mosaplikimin e penaliteteve apo të interesave mbi këto këste, ardhur pas miratimit dhe aplikimit të një sërë shkurtimesh drastike të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë vitit të shkuar, midis të cilave u pakësua edhe pagesa koncesionare e vitit 2020 për Rapiscan në masën 400 mln lekë. Kompania i pati sjellë dy propozime të mëparshme qeverisë, por u dakordësuan për të tretin, që në votimin e sotëm mori 81 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenime. 

Pika e fundit e rendit të ditës ishte votimi për projektvendimin “Për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”, mes dy kandidatëve, z. Leka Bungo dhe z. Gaspër Marku. Kuvendi votoi si kryetare të KDRTSH-së z. Leka Bungo me 77 vota.  

Seanca e sotme, në vijim të masave protokollare antiCovid, u zhvillua në kushte masash të posaçme.


Share