Kuvendi zhvilloi një interpelancë

  • Postuar më, 01/03/2021

Kuvendi i nisi punimet e sotme të seancës plenare me zhvillimin e interpelancës së kërkuar nga një grup deputetësh, që prej dhjetorit të vitit 2020. Deputetët kërkues të interpelancës ishin z. Gjuzi, z. Alimadhi, z. Jenisheri, z. Papa, z. Valteri, z. Maliqi, z. Shtjefni dhe z. Murrizi. Çështjet e interpelancës u paraqitën në foltore nga deputeti Kujtim Gjuzi. Interpelanca ishte kërkuar të mbahej me kryeministrin e vendit, z. Edi Rama, por në zbatim të Rregullores së Kuvendit kryeministri e kishte deleguar llogaridhënien te dy ministrat e qeverisë, të cilëve fusha e veprimtarisë së ministrive që drejtojnë u lidhej me kërkesat e paraqitura në interpelancë. Ministri i Brendshëm z. Bledi Çuçi dhe ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, iu përgjigjën çështjeve të paraqitura në foltore nga z. Gjuzi.

Kërkesat e deputetit Gjuzi lidheshin me këto çështje: ai kërkoi informacion për numrin e policëve të dëmtuar nga protestat pas vrasjes së të riut në 8 dhjetorin e vitit të shkuar, numri i të rinjve të arrestuar, numri i të miturve të arrestuar, si edhe kërkoi të dhëna për numrin e vdekjeve dhe masave të lidhura me pandeminë, menaxhimin e saj, masat dhe vaksinimin. Sipas z. Gjuzi, menaxhimi i pandemisë ka qenë i dobët dhe se qeveria do të duhej të merrte përgjegjësi për vrasjen e të riut nga forcat policore në 8 dhjetor 2020. Ai ngriti po ashtu pretendimin se mbi dy mijë funksionarë policorë janë me dokumentacion fals. Z. Gjuzi shtroi kërkesën për testimin e përdorimit të drogës nga politikanët dhe forcat policore. 

Ministri i Brendshëm, z. Blendi Çuçi, shprehu keqardhjen për ngjarjen e 8 dhjetorit. Ai u shpreh se me një pjesëmarrje të konsiderueshme të rinjsh, kryesisht të moshës 12-22-vjeçare, pati tubime dhe protesta të dhunshme, që u shoqëruan me veprime të dhunshme dhe vandale ndaj objekteve publike, Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, Muzeut Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë. Ministri Çuçi raportoi se 46 punonjës policie u dëmtuan gjatë protestave, e se lidhur me këto protesta të dhunshme, u arrestuan 97 persona, u ndaluan 3, u proceduan në gjendje të lirë 470 persona dhe 8 persona u shpallën në kërkim. Lidhur me ndalimin e të miturve, ministri raportoi se të gjitha procedurat u bënë në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Kodi, me prezencë avokatësh dhe prindërish, pa asnjë precedent dhune apo keqtrajtimi. 

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, lidhur me çështjet e ngritura nga z. Gjuzi, u shpreh se është me rëndësi të mbahen në kujtesë sakrificat dhe humbjet shoqërore prej 1 viti dhe paraqiti një panoramë botërore të situatës: me 114 milionë të prekur dhe rreth 2.5 milionë vdekje. Znj. Manastirliu u shpreh se vende si Mbretëria e Bashkuan, Portugalia, Spanja, Gjermania, Franca dhe Italia po ndjekin masa të ashpra, deri te mbyllja për të disatën herë, për t’i paraprirë përhapjes së virusit apo formave të tij të ndryshuara, ndërkohë që politika e vaksinimit vijon. Ministrja u shpreh se nisur nga këto masa, nuk është me vend të krijohet ideja e gënjeshtërt se virusi është ndalur. Ajo u shpreh se vërehet një përmirësim i lehtë pas masave të ndërmarra. Znj. Manastirliu raportoi se mbi 13 mijë shqiptarë janë vaksinuar gjatë kësaj periudhe, duke mbrojtur jetë mjekësh, infermierësh dhe moshash mbi 80-vjeçare në shtëpitë e kujdesit. Nga “Pfizer”, sot priten 15.2 mijë doza të tjera vaksinash e se në dyjavëshin e parë, me fokus mësuesit, pritet edhe 14.4 mijë doza të tjera vaksinash nga Covax, që të ruhet ecuria e procesit të edukimit të fëmijëve. 

Pas interpelancës, seanca vijoi me çështjet e tjera të rendit të ditës.


Share