Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët “DEFENDER EUROPE 21”

  • Postuar më, 25/02/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim projektligjin “Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët “DEFENDER EUROPE 21”

I ftuar për të shpjeguar përmbajtjen e projektit ishte z. Petro Koçi, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili sqaroi se kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane. Në këtë paketë do të jetë pjesëmarrja e forcave aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj. Zhvillimi i stërvitjes dhe pjesëmarrja e një numri të madh trupash ushtarake në këtë stërvitje do të rrisin bashkëpunimin ndërmjet vendeve. “Duke realizuar me sukses angazhimet e marra përsipër në këtë projektligj, vendi ynë tregon se është i aftë të bashkëpunojë e të zhvillojë stërvitje të rëndësishme dhe me numër të madh trupash e mjetesh” vijoi z. Koçi 

Relatori i projektligjit  z. Muslim Murrizi shprehu dakortësinë e tij për këtë marrëveshje dhe theksoi se "Meqenëse në stërvitje do të marrin pjesë 3100 (tre mijë e njëqind) trupa ushtarake, është në kompetencë të Kuvendit marrja e vendimit për zhvillimin e stërvitjes”

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratian në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. 


Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share