Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy Akte Normative

  • Postuar më, 25/02/2021

25 shkurt 2021

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi shqyrtoi dy Akte Normative, e më konkretisht Aktin Normativ nr. 4, datë 5.2.2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021” dhe Aktin Normativ nr. 5, datë 12.02.2021 “Për disa shtesa në ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” të ndryshuar””. Prezantimi i Aktit Normativ nr.4 u bë nga znj. Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, e cila sqaroi se nevoja e rishikimit të buxhetit erdhi si nevojë e akomodimit të kërkesës së KQZ për fonde në masën rreth 2.42 miliardë lekë (me TVSH) me qëllim financimin e projektit madhor “Identifikimi elektronik i zgjedhësve” për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. “Përtej rialokimit mes zërave dhe balancimit të rritjes së shpenzimeve prioritare, përmes rritjes në të njëjtën masë të nivelit të të ardhurave nga TVSH, ky Akt Normativ nuk prek dy parametrat kyç makro-fiskalë që janë deficiti buxhetor dhe borxhi publik, të cilët mbeten të pandryshuar”, nënvizoi znj.Xhemali.

Deputeti Bashkim Fino në cilësinë e relatorit vlerësoi kushtetueshmërinë e Aktit dhe duke shprehur dakordësinë e tij, ftoi kolegët e komisionit ta miratojnë atë. Pas diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi Aktin Normativ me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e komisionit.

Më tej u vijua me shqyrtimin e Aktit Normativ nr. 5, datë 12.02.2021 “Për disa shtesa në ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” të ndryshuar””, i cili u prezantua nga znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Znj.Rakacolli sqaroi për komisionin se dy janë risitë në këtë Akt Normativ: së pari përfshirja e Mbretërisë së Bashkuar në listën e vendeve, nga të cilat, Agjencia Kombëtare për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, mund t’i propozojë ministrit përgjegjës për shëndetësinë, si dhe dhënien e autorizimit të tregtimit për barnat; së dyti vendoset koncepti e ri “autorizimit të kushtëzuar të tregtimit". Znj.Rakacolli theksoi se ndryshimi i parë vjen si nevojë e domosdoshme në kushtet e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, ndërsa për ndryshimin e dytë sqaroi se: “Autorizimi të kushtëzuar të tregtimit lëshohet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjeksore gjatë periudhave të epidemive ose fatkeqësive natyrore, vetëm pasi bari të jetë pajisur me autorizim tregtimi të kushtëzuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), ose Administrata për Ushqimin dhe Barnat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FDA)”. Më tej znj.Rakacolli theksoi se Autorizimi i kushtëzuar i tregtimit është i vlefshëm për 1 vit dhe lëshohet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore brenda 20 ditëve me përjashtim të vaksinave anti-Covid-19 për të cilat autorizimi lëshohet brenda 5 ditëve pune. Pas diskutimeve, komisioni miratoi Aktin Normativ në fjalë me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e komisionit.

Mbledhja e sotme e komisionit u vijua nëpërmjet platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share