Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi një projektligj në parim

  • Postuar më, 24/02/2021

24 shkurt 2021


Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, shqyrtoi dhe miratoi në parim, në cilësinë e komisionit përgjegjës, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 115/2017 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, ndryshime të propozuara nga deputeti i Kuvendit, z. Adnor Shameti.

Z. Shameti u shpreh se kjo ndërhyrje ishte e domosdoshme pasi bëhej fjalë për procedura prokurimi publik, që aktivizojnë këngëtarë dhe rrjete artistësh në veprimtaritë që ministria zhvillon jashtë shtetit, e që në këto procedura të shpeshta, ishte vërejtur hapësirë ligjore në nevojë përmbushjeje. Në kontrollet e Ministrisë së Financave janë konstatuar të rregullta si procedura, por është orientuar përmes rekomandimeve drejt një rregullimi në ligj për blerjet e vogla, kështu që, siç u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, u gjet kjo zgjidhje, pa efekte financiare si ndryshime dhe me dakordësinë e MF-së për rregullimet e paraqitura, për lehtësimin e kryerjes së disa shërbimeve të domosdoshme jashtë vendit. Projektligji gjeti mbështetjen e relatorit Alket Hyseni. Ministri Majko dha dakordësinë e tij me paraqitjen e projektligjit nga ana e z. Shameti dhe nga relatimi i z. Hyseni dhe konfirmoi dakordësinë paraprake mes palëve. Komisioni, pas diskutimeve parlamentare, dha dakordësinë e tij parimore për projektligjin. Mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit “Cisco Webex”.  


Share