Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim ndryshimet në ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 24/02/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim në parim projektligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”. I ftuar për të dhënë shpjegime rreth projektit, ishte z. Juljan Hodaj, zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme, i cili theksoi nevojën që kishte lindur për një ligj të ri për Gardën,  pasi periudha e gjatë që ka kaluar nga ligji aktual në fuqi dhe problematikat,  që ka diktuar dinamika e punës, kanë bërë të nevojshëm hartimin e këtij projektligji, me synim për t’ia përshtatur situatës aktuale. “Gjithashtu, nevoja e kësaj nisme legjislative është diktuar edhe në prioritetet e Ministrisë së Brendshme, konkretisht, në përmbushje të prioritetit për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, forcimin e rendit e të sigurisë publike, ka lindur domosdoshmëria e reformimit të kuadrit ligjor për Gardën e Republikës, duke përcaktuar kështu në mënyrë më të qartë e më të plotë detyrat dhe përgjegjësitë e këtij institucion” sqaroi më tej z. Hodaj. Relatorja e projektligjit znj. Artemisa Malo detajoi objektivat, që synohen të arrihen nëpërmjet këtij ligji siç janë ; përcaktimi me ligj të veçantë dhe të integruar i organizimit dhe funksionimit të Gardës dhe i sistemit të gradave e karrierës së punonjësit të këtij institucioni; përcaktimi më i plotë i veprimtarisë së Gardës; përcaktimi i qartë i autoriteteve dhe kompetencave të tyre; përcaktimi me ligj i kritereve të emërimit dhe të lirimit të drejtorit të Përgjithshëm; përcaktimi me ligj i kritereve të përgjithshme dhe i kritereve të veçanta të pranimit të punonjësve; përcaktimi i autoriteteve përkatëse për nxjerrjen e akteve nënligjore, në veçanti, duke ndarë përcaktimin e rregullave të brendshme të organizimit të Gardës nga drejtuesi dhe i rregullores së saj, që përfshin dispozitat për personelin dhe disiplinën, pajisjet, mjetet, armatimin me vendim të Këshillit të Ministrave; qasjen e përafërt me Policinë e Shtetit për sa i përket sistemit të gradave, arsimimit, marrëdhënieve të punës.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim projektligjin në fjalë. 


Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX


Share