Komisioni Drejtues i Rrjetit të Strategjisë së Edukimit Ligjor të Publikut miratoi Raportin e Monitorimit të zbatimit të Strategjisë, janar-dhjetor 2020

  • Postuar më, 23/02/2021

Në drejtimin e zëvendëskryetares së Kuvendit znj. Vasilika Hysi, komisioni Drejtues i Rrjetit të Strategjisë së edukimit ligjor6 të publikut (SELP), zhvilloi mbledhjen e rradhës për prezantimin dhe diskutimin e Raportit të Monitorimit të Strategjisë.

Në fillim të fjalës së saj, Znj. Hysi theksoi se “Strategjia e edukimit ligjor të publikut është një nga dokumentat strategjike te hartuar në kuadër të Reformës në Drejtësi dhe ka një komponent shumë të rëndesishëm informimin dhe sensibilizimin e publikut për liritë dhe të drejtat e tyre, por edhe për mekanizmat e gëzimit të këtyre të drejtave”. 

Gjithashtu, zëvendëskryetarja e Kuvendit vuri në dukje se një nga shtatë shtyllat kryesore të Reformës në Drejtësi, ka qënë dhe mbetet edukimi ligjor.

Përfaqësuesja e ministrisë së Drejtësisë znj. Tatjana Janku, në prezantim të këtij raporti, u shpreh se ministria e Drejtësisë është institucioni përgjegjës për monitorimin e Planit të Veprimit të Strategjisë të Edukimit Ligjor të Publikut, si edhe ky raport është bërë i njohur e publikuar edhe në faqen zyrtare të ministrisë, e po ashtu është miratuar në KDS në datën 10 shkurt 2021.

Pas diskutimeve, pyetjeve të parashtruara dhe komenteve, komisioni Drejtues i Rrjetit SELP e miratoi këtë raport me votë. 

Në fund të mbledhjes znj. Hysi falenderoi rrjetin për gjithë punën e bërë në kohë, brenda afateve ligjore, për përfundimin e këtij raporti. 

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës online “Cisco Webex”.


Share