Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim projektligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”

  • Postuar më, 23/02/2021

23 shkurt 2021

Në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e komisionit përgjegjës në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi parimisht projektligjin  “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”. Të ftuar për prezantimin e projektligjit ishin ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjoni, z. Besmir Beja, Drejtor i Kodifikimit në MD, si dhe z. Besart Kadija, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.

Ministrja Gjoni gjatë prezantimit u ndal tek risitë e projektligjit dhe nevoja e përmirësimit të kuadrit ligjor për OJF.  “Ky projektligj parashikon një procedurë më transparente në lidhje me aktivitetin e OJF-ve, si dhe vendos modernizimin e shërbimeve por edhe të databazës në drejtim të informacionit më të  plotë për çdo OJF që kryen aktivitet jofitimprurës në Republikën e Shqipërisë”, parashtroi znj. Gjoni. Më tej ministrja e Drejtësisë sqaroi se qëllimi kryesor i kësaj nisme është përmirësimi i kornizës ligjore ekzistuese dhe përcaktimi i rregullave më të thjeshtuara për regjistrimin OJF-ve dhe digjtalizimin e të dhënave dhe arkivave të OJF-ve, për të mundësuar një sistem për shkëmbimin e informacionit, çka sjell lehtësi për ofrimin e shërbimeve dhe uljen e kostove. Znj.Gjoni theksoi se kjo nismë vjen dhe si deyrim për përmbushjen e rekomandimeve të raportit të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL). “Në raport cilësohet ndër të tjera se nuk ka asnjë dokument mbi praktikat më të mira që të jetë hartuar nga Shqipëria me përfshirjen e OJF-ve, si dhe nuk janë ndërmarrë hapa për promovimin, mbikëqyrjen e riskut ose monitorimin e OJF-ve”, sqaroi znj Gjoni.

Deputetja Klotilda Bushka në cilësinë e relatores, parashtroi se projekligji ka ardhur në momentin e duhur, pasi legjislacioni në fuqi daton që prej vitit 2001 dhe theksoi më tej se projektligji i është nënshtuar një procesi të gjerë të konsultimit publik me një grup të gjerë të OJF, partnerë ndërkombëtarë, si dhe institucione shtetërore

Pas diskutimeve, pyetjeve dhe komenteve, komisioni miratoi në parim projektligjin  “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” .  Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua sërish përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.


Share