Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, për prezantimin e Raportit mbi punën e Kuvendit me institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj për vitin 2020

  • Postuar më, 22/02/2021

22 shkurt 2021

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, për prezantimin e Raportit mbi punën e Kuvendit me institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj për vitin 2020


Të nderuara kolege dhe kolegë deputetë,

Po paraqes shkurt përmbajtjen e raportit mbi punën e Kuvendit me institucionet kushtetuese e të krijuara me ligj për vitin 2020.

Në Kuvendin e Shqipërisë raportojnë periodikisht mbi veprimtarinë e tyre 24 institucione.

Institucionet e pavarura janë një instrument i rëndësishëm i shtetit të së drejtës, në mbrojtje të interesit publik dhe të drejtave e lirive themelore të qytetarëve.

Interesat privatë janë si uji, rrjedhin atje ku nuk gjejnë pengesa. Prandaj institucionet e pavarura mbrojnë interesin publik, në sfidimin ose edhe harmonizimin me interesat e tjera që zhvillohen në shoqëri.

Arritja më e madhe e Kuvendit gjatë vitit 2020 dhe kësaj legjislature është kontributi për rritjen e autoritetit të institucioneve të pavarura, si mbrojtës të interesit publik.

Nëse në vitin 2018, niveli i zbatueshmërisë së rekomandimeve ishte 45%, në vitin 2019 progresuam në 62% dhe në vitin 2020 arritëm shkallën e zbatueshmërisë 83%, pra gati dyfishuar krahasuar me 2018.

Kjo rritje është tregues i rolit të Kuvendit në bashkëpunimin ndërinstitucional Kuvend-Institucione te pavarura-Qeveri dhe rritjen e llogaridhënies nga Qeveria.

Kjo rritje është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes buxhetore për institucionet e pavarura. Në vitin 2021, krahasur me 2018, mbështetja buxhetore u rrit me rreth 50%.

Veprimtaria e Kuvendit në mbështetje të institucioneve të pavarura gjatë vitit 2020 konsistoi në aspektet e mëposhtëme:

Së pari, mbështetja e funksionimit të institucioneve, nëpërmjet emërimit të drejtuesve dhe anëtarëve të tyre si edhe ndryshimeve strukturore

Në zbatim të ligjeve organike dhe nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, gjatë vitit 2020 Kuvendi u angazhua për emërimin e titullarëve/anëtarëve të institucioneve të pavarura duke u siguruar për funksionimin e tyre me kapacitet të plotë.

Kuvendi zgjodhi drejtuesit e disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit:

·         Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

·         Miratoi dekretin e Presidentit të Republikës “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

·         Mundësoi konstituimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas riformatimit që u bë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

 

Kuvendi zgjodhi gjithashtu:

·         Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

·         Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Nëndrejtorin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

·         Inspektorin e Përgjthshëm dhe një anëtar të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë.

·         Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Statistikave.

·         Kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik.

·         Tre anëtarë të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Në zbatim të detyrimeve ligjore të përcaktuara në kuadrin rregullator dhe nevojave buxhetore të miratuara në ligjin e buxhetit të vitit pasardhës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi stukturat e reja ose ndryshimet strukturore për disa institucione, si Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisionit të Posaçëm të Apelimit, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionit të Prokurimit Publik.

Aspekti i dytë i punës së Kuvendit ishte fuqizimi i kontrollit parlamentar, si  funksion themelor i Kuvendit dhe mekanizëm për rritjen e përgjegjshmërisë e llogaridhënies ndaj publikut të institucioneve të pavarura dhe degës ekzekutive të qeverisjes.

Në zbatim të nenit 103 të Rregullores së Kuvendit si dhe kuadrit rregullator të secilit institucion, për vitin 2020, depozituan raportet e veprimtarisë vjetore:

·         24 institucione të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj.

·         23 titullarë institucionesh raportuan në komisionet e përhershme parlamentare.

·         23 titullarë institucionesh raportuan në seancë plenare.

·         Kuvendi miratoi 23 rezoluta për veprimtarinë institucionale dhe adresoi rekomandime/detyra për vitin 2021.

Periudha e raportimeve dhe procedura parlamentare janë respektuar në mënyrë korrekte; brenda afateve ligjore, sipas përcaktimeve në Rregulloren e Kuvendit dhe kërkesave të Vendimit 134/2018 “Për Manualin e Raportimit Vjetor dhe Periodik”.

Aspekti i tretë i veprimtarisë sonë në punën me institucionet e pavarura ka qenë ndjekja e statusit të zbatimit të rezolutave të Kuvendit.

Pas një analize të detajuar të informacioneve të depozituara në Kuvend mbi nivelin e zbatimit të rezolutave për vitin 2020, nga raportimi dhe monitorimi i institucioneve të pavarura, statusi i zbatimit të rezolutave paraqitet si vijon:

Nga 211 rekomandime të adresuara në rezolutat e Kuvendit për vitin 2020, rezultojnë:

·           të realizuara plotësisht: 109 rekomandime  ose 52%, 

·           në proces zbatimi: 91 rekomandime ose 43%

·           realizuara pjesërisht: 4 rekomandime ose 2% 

·      të parealizuara: 7 rekomandime (3%)






Gjatë vitit 2020 ka funksionuar  Platforma Ndërinstitucionale On-line, e cila mund të aksesohet në faqen e Kuvendit prej fundit të vitit 2019.

Vlerësimet maksimale në drejtim të fuqizimit të kontrollit parlamentar janë dhënë në raportin e fundit të GREKO-s, ku vlerësohet puna e bërë për funksionimin e mekanizmit ndërinsitucional si dhe krijimit të Platformës Ndërinstitucionale On-line, e cila është kthyer në një element të rëndësishëm të marrëdhënieve mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura në drejtim të kontrollit ndaj ekzekutivit.

Puna me institucionet e pavarura, vazhdon intensivisht, me synimin për të fuqizuar ushtrimin e kontrollit parlamentar nga komisionet parlamentare dhe deputetët, të orientuar drejt cilësisë dhe efektivitetit të së drejtës themelore që ka ligjvënësi, të mbikëqyrë dhe kontrollojë politikat dhe institucionet publike.

Ju faleminderit!

 

 

 


Share