Seanca plenare miratoi dy projektligje dhe dy projektvendime, rrëzoi dy dekrete presidenciale

  • Postuar më, 15/02/2021

15 shkurt 2021

Seanca e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, miratoi 2 projektligje, 2 projektvendime dhe rrëzoi 2 dekrete te Presidentit të Republikës. Dy projektligjet e miratuara në seancë ishin: projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 173/2014 “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 44/2012 “Për shëndetin mendor” të ndryshuar””. Dy projektvendimet e miratuara nga seanca e sotme plenare ishin: projektvendimi “Për miratimin e fondit për financimin e partive plesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021” dhe projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”. Ndërsa, dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.912, datë 11.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 151/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar”” dhe dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.915, datë 14.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 168/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar”” ishin dy dekretet e rrëzuara nga seanca e sotme.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 173/2014 “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” plotësonte disa mangësi të vërejtura gjatë kohës së tij të zbatimit, duke garantuar përmirësimin e funksionimit të Forcave të Armatosura, rendin dhe disiplinën e ushtarakëve të Forcave të Armatosura përmes përcaktimit të një liste të alternativave të shkeljeve që mund të kryen gjatë ushtrimit të detyrës nga ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë së bashku me listimin e disa lloje  masash disiplinore për secilën shkelje. Ky projektligj gjeti mbështetjen e diskutantit në emër të grupit të Partisë Socialiste, z. Xhemal Qefalia dhe në fund të diskutimeve, u miratua me 83 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim.

Projektligji tjetër, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 44/2012 “Për shëndetin mendor” të ndryshuar””, bën të mundur reflektimin e rekomandimeve të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës së Këshillit të Evropës (CPT), të përfshira në raportin e publikuar në shtator të vitit 2019, pas vizitës së tyre në vendin tonë në datat 29-30 nëntor 2018. Projektligji gjeti mbështetjen me 91 vota pro, 12 kundër dhe 1 abstenim.

Projektvendimi “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021” u miratua me 84 vota pro, 14 kundër dhe 5 abstenim, ndërsa projektvendimi tjetër, “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, u miratua me 83 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

Të dy dekretet e ardhura nga Presidenti i Republikës u rrëzuan. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.912, datë 11.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 151/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar”” mori 14 vota pro, 77 kundër dhe 9 abstenim, ndërsa dhe dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.915, datë 14.01.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 168/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” të ndryshuar”” mori 13 vota pro, 79 kundër dhe 10 abstenim. 

Seanca e sotme plenare, në vijim të masave protokollare kundër pandemisë, u zhvillua, njëjtë si edhe paraardhëset, në kushte masash të posaçme.

 


Share