Ruçi: Përballimi i pandemisë, një proces adaptiv që kërkon kontributin e të gjithëve. Kryetari i Kuvendit flet në Konferencën Shkencore, organizuar nga Kuvendi dhe Akademia e Shkencave

  • Postuar më, 09/02/2021

9 shkurt 2021


Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mbajti sot një fjalë në seancën hyrëse të Konferencës shkencore “Pandemia dhe rimëkëmbja-strategjitë e përballjes dhe pritshmëritë e zhvillimit”, një veprimtari e përbashkët organizuar nga Kuvendi dhe Akademia e Shkencave.

Në Konferencë morë pjesë dhe kontribuan akademikë, deputetë, drejtues të institucioneve dhe ekspertë të njohur të ekonomisë, jurisprudencës dhe politikave sociale.  Konferenca u zhvillua në tre sesione. Në sesionin e parë përshëndetën Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla, dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi.

Në fjalën e mbajtur në fillim të punimeve të Konferencës, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, nënvizoi se “Reagimi i Kuvendit ndaj dy sfidave, tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë Covid-19, ishte i ndryshëm. Ndërsa për të parën, tërmetin, nisëm një proces rishikimi, korregjimi e plotësimi të kuadrit ligjor, për të dytën, pandeminë, përpjekjet ishin të dyfishta. Miratimi i kuadrit ligjor dhe i akteve normative për përballimin e pandemisë nga ekonomia, institucionet publike, sipërmarrja, komunitetet, familjet dhe qytetarët, u parapri nga ndryshimet në kuadrin rregullator të vetë Kuvendit.

Kuvendi dhe ligjvënësit u përgatitën aq shpejt për përballimin e pandemisë, sa brenda muajit të parë të saj organizuam një zinxhir veprimtarish parlamentare virtuale. Përpjekjet dhe arritjet e këtyre viteve të fundit në digjitalizimin e mjaft veprimtarive ishin një ndihmë e madhe instrumentale që ndihmuan përshtatjen e veprimtarive parlamentare ndaj pandemisë.

Përsa i përket funksionit ligjbërës, tërmeti na kujtoi se blloku i ligjeve të Republikës që menaxhonin raportet e ekonomisë dhe shoqërisë me natyrën duhet të rishikohen, korrigjohen dhe plotësohen.

Pandemia na kujtoi se politikat dhe kuadri ligjor për zhvillimin duhet të mbajnë parasysh përparësinë e politikave shëndetësore ndaj politikave të tjera si edhe përparësinë e politikave mbi mbrojtjen e shëndetit publik e fuqizimin e institucioneve përkatëse. 

Përballimi i pasojave të tërmetit kërkonte një lidership teknik, i cili, u përballua dhe vazhdon të përballohet nga qeveria e të dëmtuarit me përkushtim, seriozitet e produktivitet.

Ndërkohë, përballimi i pandemisë, është dhe mbetet një sfidë shumë më e madhe dhe kërkon një lidership adaptiv, i cili presupozon bashkëpunimin e qeverisë, të institucioneve, komuniteteve dhe  qytetarëve.

Mësimet prej tërmetit dhe pandemisë po behen objekt reflektimi i veprimtarisë parlamentare dhe po “përkthehen” në akte ligjore apo ndryshime e përmirësime të tyre.

Në këtë kontekst, ka nisur edhe bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave, i cili uroj të prodhojë rezultate të prekshme e të dobshme për vendin dhe qytetarët.”

Në seancën hyrëse, e cila u moderua nga Zëvëndëskryetari i Akademisë, Akademik Vasil Tole, e morën fjalën, përveç Kryetarit të Kuvendit, z. Ruçi, edhe z. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe z. Taulant Balla, PhD, Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocijimit BE–Shqipëri dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PS.

 

Akademik Skënder Gjinushi, nënvizoi në fjalën e tij se ndjekja e ecurisë dhe përballimi i pandemisë mbeten një prioritet i veprimtarisë së Akademisë së Shkencave.

 

Z. Taulant Balla, PhD, nënvizoi se Integrimi europian: mbetet “Ylli polar” i Shqipërisë, pavarësisht vështirësive të rindërtimit dhe pandemisë.

 

panelin e parë “Rindërtimi dhe Pandemia: Sfidat ekonomike”, drejtuar nga akademiku dhe deputeti Anastas Angjeli, Kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, referuan akademikë, deputetë, profesorë dhe ekspertë të njohur të ekonomisë. U referuan temat e mëposhtëme:  

Akademik Anastas Angjeli, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave: “Pandemia dhe mendimi ekonomik në ndryshim”.

Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë:“Pandemia e COVID-19 dhe politika monetare: Të gjithë me sytë nga bilanci i bankës qendrore”.

Milva Ekonomi, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural : “Politikat ekonomike dhe legjislacioni në mbështetje të rindërtimit dhe normalizimit të situatës pas tërmetit të 26 nëntorit 2019”

Akademik i Asociuar Adrian Civici: “Sfidat dhe rreziqet e shtimit të borxhit publik gjatë periudhës pandemisë. Borxhi- instrument shpëtimtar apo rënues i financave publike?”

Prof. As. Dr. Selami Xhepa: “Impaktet makroekonomike dhe sociale të pandemisë së COVID-19 dhe eficienca e politikave kundërgoditëse”

Joniada Barjaba, PhD, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Lektore e ekonomisë: “Ndikimi i pandemisë te remitancat”.

Në panelin e dytë “Sfidat e shoqërisë dhe përgjigjet ligjore”, i cili u moderua nga Prof. Dr. Vasilika Hysi, Zëvëndëskryetare e Kuvendit, referuan akademikë, deputetë, profesorë dhe ekspertë të njohur të jurisprudencës, shkencave natyrore dhe çështjeve sociale. U referuan temat e mëposhtëme:  

Prof. Dr. Besnik Baraj, deputet: “Pandemia, Mjedisi dhe Politika”.

Prof. As. Dr. Eglantina Gjermeni, deputete: “Dhuna ndaj grave gjatë pandemisë – Sfidat dhe përgjigjet”.

Ilir Beqaj, Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese:  “Sfidat morale të masave për përballimin e pandemisë së Covid-19”.

Akademik Shaban Sinani: “Në ndjekje të pandemisë, një bulletin-kronikë për periudhën e mbylljes së përgjithshme”.

Dr. Ulsi Manja, Kryetar i Komisonit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: “Roli i Kuvendit të Shqipërisë në përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë së shkaktuar nga covid-19”.

Prof. Dr. Vasilika Hysi, Zëvëndëskryetare e Kuvendit: “Pandemia Covid-19 dhe të drejtat e njeriut”.

Prof. Dr. Enver Roshi, Kryetar i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë: “Parlamenti përballë pandemisë së COVID-19”.

Konkluzionet e Konferencës i bëri Akademik Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave.

Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në Konferencës shkencore “Pandemia dhe rimëkëmbja-strategjitë e përballjes dhe pritshmëritë e zhvillimit”, organizuar nga Kuvendi dhe Akademia e Shkencave.

 


Share