Aleanca e Grave Deputete dhe Nënkomisioni Parlamentar për Barazinë Gjinore zhvilluan ceremoninë e mbylljes së “Akademisë së Parë të Lidership-it, Legjislatura 2017 – 2021”

  • Postuar më, 27/01/2021

Aleanca e Grave Deputete dhe Nënkomisioni Parlamentar për Barazinë Gjinore në bashkëpunim me  Rrjetin e Grave Barazi në Vendimmarrje, Institutin Kombëtar Demokratik, me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, zhvilluan ceremoninë e mbylljes së “Akademisë së Parë të Lidership-it  - Executive Masterclass , Legjislatura 2017 – 2021”.

Ceremonia u përshëndet nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim e cila në fjalën e saj përmes të tjerave tha : “Pjesëmarrja dhe fuqizimi i grave në të gjitha nivelet e shoqërisë është çelësi për të çuar demokracitë përpara. Megjithatë, ndërsa pjesëmarrja e barabartë e grave është thelbësore, pjesëmarrja nuk është qëllimi. Qëllimi është ndërtimi i një shoqërie më të përparuar dhe e bazuar në merita, ku kontributet dhe përfitimet ndahen në mënyrë të barabartë”.


Gjithashtu, ceremonia u përshëndet nga znj. Elona Gjebrea Hoxha, nënkryetare e Aleancës së Grave Deputete, znj. Vasilika Hysi, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe znj. Eglantina Gjermeni, Kryetare e Nënkomisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas.


Akademia e Lidership-it është krijuar me vizionin për të qenë një forcë shtytëse e ndryshimit duke mbështetur gratë parlamentare në organet ligjvënëse për të rritur kapacitetet dhe aftësitë e tyre drejtuese për të përfaqësuar në mënyrë sa më efektive. Në përfundim të ceremonisë, u shpërndanë certifikata për pjesëmarrëset në Akademinë e Lidership-it”.

Akademia e Lidership-it për Legjislaturën 2017 -2020 ka zhvilluar sesione teorike dhe praktike për gratë parlamentare në tema si: Komunikimi dhe e folura në publik; Lidership-i dhe jeta publike; Përshtatja e punës parlamentare dhe komunikimi publik gjatë periudhës së pandemisë Covid-19; Strategjitë politike për gratë kandidate në sistemet zgjedhore me lista të hapura; Qasja e grave në financat e partive politike dhe ngritja e fondeve për fushatat zgjedhore.

Përmes mbështetjes së trajnerëve me përvojë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa Perëndimore, të ftuar për të ndarë njohuritë, përvojat, mësimet e marra dhe strategjitë nga puna e tyre me gratë parlamentare, u zhvillua një Akademi e Lidership-it bazuar në tema dhe module të konsideruara si çelësi i suksesit të grave parlamentare në punën e tyre. 


Share