Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik rishpalli vakancën për Kryetarin dhe një anëtar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar

  • Postuar më, 26/01/2021

26 janar 2021

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në drejtimin e kryetarit z. Ramazan Gjuzi,  në mbledhjen e radhës rishpalli vakancën  për Kryetarin dhe 1 anëtar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar. Momentalisht rezulton se për 7 anëtarë dhe për Kryetarin e këtij Këshilli ka përfunduar mandati dhe procedurat për përzgjedhjen e tyre akoma nuk janë përfunduar nga Kuvendi.  Në nisje të mbledhjes, z. Gjuzi parashtroi se Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës, ka shpallur vakancat për secilin nga anëtarët e Këshillit, të cilëve u ka mbaruar mandati, konform parashikimeve të bëra në ligj, 30 ditë përpara krijimit të vendit vakant. Më tej ai sqaroi se për 3 vende vakante, ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së kandidaturave dhe vendimi i komisionit i është përcjëllë për shqyrtim seancës plenare.

“Për vakancën e z. Saimir Kumbaro i cili ka pasur një mandat 5- vjeçar, Komisioni shpalli vakancën në maj të vitit 2019 me vendimin nr. 10 të tij dhe në përfundim të afatit të dorëzimit të dokumentacionit numri i kandidatëve të paraqitur nuk e plotësonte numrin minimal të kandidatëve për një vend vakant, të përcaktuar në dispozitën e nenit 94, pika 3, e ligjit.  Në vijim, Komisioni në mbledhjen e datës 9 shtator 2019 me vendimin nr. l 0/l /2019 të tij, vendosi rishpalljen e vendit vakant, por përsëri dhe kjo procedurë u mbyll pa plotësuar numrin minimal të kandidatëve që kërkon ligji. Për vakancat e z. Kristaq Traja, z. Robert Rakipllari, z. Vladimir Grosha dhe z. Altin Shegani, të cilët kanë pasur mandat 5-vjeçar, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nëpërmjet vendimeve të tij nr. 11, 12, 13 dhe 17 ka shpallur në datë 5 qershor 2020 vakancat e Kryetarit dhe tre anëtarëve të tjerë të këtij Këshilli. Në përfundim të afatit të dorëzimit rezultuan 12 kandidatura, të propozuara nga subjektet që ngarkon ligji dhe konkretisht: znj. Ardita Reçi, z. Gene Tomço, znj Laureta Roshi, z. Mevlan Shanaj, z. Engjëll Ndocaj, z. Krenar Hajdëri, z. Arjan Syknei, z. Lumtor Shkreli, z. Elvin Nuriu, znj. Rafaela Rica, znj. Suela Mino dhe z. Petrit Ruka. Kandidaturat e propozuara nga subjektet që ngarkon ligji kanë shprehur interes për të kandiduar për vendet vakante të tre anëtarëve, ndërsa për vendin vakant të Kryetarit të KDRTSH-së nuk është paraqitur asnjë kandidaturë”, u shpreh z.Gjuzi.  Në përfundim komisioni vendosi me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje të rishpallë dhe njëherë vakancën e Kryetarit, pas përfundimit të mandatit të z.Kristaq Traja dhe një anëtari të KDRTSH-së pas përfundimit të mandatit të z.Sauimir Kumbaro. Komisioni vendosi që të vijojë procedurën me zhvillimin e seancës dëgjimore me kandidatët e propozuar për anëtar të këtij Këshilli në mbledhjen e radhës së komisionit.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.



Share