Komisioni për Integrimin Evropian miratoi dy projektligje
- Postuar më, 26/01/2021
26 janar 2021
Komisioni për Integrimin Evropian, në drejtimin e nënkryetares, znj. Senida
Mesi, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi shqyrtoi dhe miratoi në
mbledhjen e sotme dy projektligje. Projektligjet e miratuara ishin: “Për të
dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik” dhe “Për ratifikimin
e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit
të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë
për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit
(IPA II)”.
I pranishëm në mbledhje për prezantimin e projektligjit të parë ishte z.
Etjen Xhafaj, zëvendëministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe specialistë
të lartë të MIE dhe KDIMDP-së. Zëvendësministri Xhafaj, bëri me dije se
projektligji siguron bazën ligjore për përdorimin e të dhënave të hapura dhe të
drejtën e ripërdorimit, për qëllime tregtare ose jo, të dokumenteve që mbahen
nga organet e sektorit publik ose sipërmarrjet publike, me qëllim për të nxitur
inovacionin në produkte dhe shërbime. Gjithashtu, z. Xhafaj shtoi se
projektligji synon transpozimin e Direktivës (BE) 2019/1024, të Parlamentit
Evropian dhe të Këshillit të datës 20.6.2019, “Për të dhënat e hapura dhe
ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, lidhur me ripërdorimin e
informacionit të sektorit publik në mënyrë që
potenciali i informacionit të sektorit publik për ekonominë dhe
shoqërinë shqiptare, të shfrytëzohet i plotë duke u mbështetur në praktikat e
Bashkimit Evropian. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi këtë
projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.
I pranishëm ishte kryenegociatori i BE-së për integrimin. Ai theksoi rëndësinë
e dimensionit parlamentar ne çështjen e integrimit dhe vlerësoi rolin e
komisioneve parlamentare, e sidomos atij të integrimit. Z. Zef Mazi,
kryenegociatori i Shqipërisë për aderimin në BE, paraqiti për komisionin
projektligjin e dytë. Sipas z. Mazi, programi vjetor i vitit 2019, mbështetur
në Dokumentin Strategjik Kombëtar për plotësimin e objektivave të integrimit,
do të mbështesë përfshirjen sociale dhe programi vjetor “BE për përfshirjen
sociale” dhe ka si qëllim të kontribuojë në forcimin e përfshirjes sociale,
duke rritur mbulimin, përfshirjen dhe efektivitetin e shërbimeve të kujdesit
social, dispozitat e edukimit gjithëpërfshirës dhe mundësitë e punësimit.
Objektivi i përgjithshëm i këtij programi për vitin 2019 është që të zgjerojë
mbulimin, gjithëpërfshirjen, efektivitetin dhe reagimin ndaj emergjencave të
shërbimeve të kujdesit social, arsimin parauniversitar dhe mundësitë e
punësimit për të rinjtë dhe të rriturit në Shqipëri, duke përfshirë popullatat
në rrezik përjashtimi. Z. Mazi vuri theksin te fakti që kontributi i përgjithshëm
i BE-së për përfshirjen sociale shkon në 70.65 milionë euro. 71.95 milionë euro
është kostoja totale e programit. Z. Mazi theksoi se në kuadër të tërmetit të
vitit 2019 dhe pandemisë, KE pati vendosur rialokimin e fondeve IPA për 2019-n.
Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi edhe këtë
projektligj.
Mbledhja e sotme, në vijim të të tjerave, për shkak të masave të posaçme në
kuadër të pandemisë, i zhvilloi punimet e saj përmes platformës elektronike të
komunikimit “Cisco Webex”.