Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje dhe një Akt Normativ

  • Postuar më, 25/01/2021

25 janar 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje dhe një Akt Normativ të Këshillit të Ministrave. Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua nisma e deputetit Ilir Beqaj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Projektligji u relatua nga deputeti Alket Hyseni dhe të pranishëm në mbledhjen e Komisionit për të prezantuar nismën dhe dhënë shpjegime pyetjeve të deputetëve ishin: deputeti Ilir Beqaj, z. Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie. Z. Beqaj paraqiti përpara komisionit argumentet përkatëse për nevojën e ndërmarrjes së kësaj nisme ligjore, duke theksuar mes të tjerash se pas miratimit të një sërë ligjesh në këtë fushë, është e nevojshme që të bëhet disa ndryshime edhe në ligjin nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Relatori për komisionin, z. Alket Hyseni, sqaroi se nisma legjislative për ndryshimet në Kodin Detar është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe shprehu parimisht dakordësinë për miratimin e tij. Gjatë shqyrtimit nen për nen z.Hyseni paraqiti dy përmirësime të teknikës legjislative, të cilat morën mbështetjen edhe të anëtarëve të tjerë të komisionit.  Pas pyetjeve, komenteve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Më tej, u vijua me shqyrtimin e Aktit Normativ nr. 2, datë 13.01.2021 “Për autorizimin e Agjencisë Shtetërore për shpronësimin për negociimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të nevojshme për ndërtimin e spitalit të Fierit”.  Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit për të prezantuar Aktin Normativ dhe për t’u dhënë shpjegime pyetjeve të deputetëve ishte z.Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe stafi teknik i kësaj ministrie. Z.Xhafaj sqaroi se miratimi i Aktit Normativ do të autorizojë Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin për negocimin e afatit të shpronësimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të nevojshme për fillimin e punimeve për ndërtimin e spitalit të ri rajonal të Fierit.  Pas diskutimeve, komisioni miratoi me shumicë votash Aktin Normativ dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare. I fundit në rendin e ditës ishte projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) për krijimin e një përfaqësie të FAO-s në Republikën e Shqipërisë”. Në mbledhjen e Komisionit për paraqitjen e projektligjit ishte e pranishme znj. Ermira Gjeçi, zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Z.Gjeçi sqaroi se projektligji ka për qëllim të ratifikojë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO-Food and Agriculture Organization) për krijimin e një përfaqësie të FAO-s në Republikën e Shqipërisë. Sipas znj.Gjeçi fokusi aktual i FAO-s për Shqipërinë është transformimi i sektorit bujqësor në mbështetje të procesit të integrimit në BE, si dhe të mbështesë zinxhirin e vlerave bujqësore dhe sipërmarrjen rurale për sipërmarrësit e vegjël, me fokus tek të rinjtë dhe gratë. Pas diskutimeve, pyetjeve dhe komenteve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e komisionit u zhvillua nëpërmjet platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.



Share