Kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin, z. Zef Mazi, raportoi në KKIE për Zbatimin e Planit të Veprimit për hapjen e negociatave

  • Postuar më, 25/01/2021

25 janar 2021

 

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian zhvilloi sot takimin e radhës me temë: "Zbatimi i Planit të Veprimit për hapjen e negociatave të miratuar në Kuvend me rezolutën e dt. 24.09.2020 mbi "Hapjen e Negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe Miratimin e Planit të Masave për Përmbushjen e Përparësive të Përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian". I sotmi ishte takimi i parë i KKIE-së për vitin 2021. I pranishëm për të raportuar në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit ishte kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, z. Zef Mazi. Në nisje të mbledhjes, znj. Rudina Hajdari dhe z. Taulant Balla, përkatësisht kryetare dhe nënkryetar i Këshillit, mbajtën fjalët e tyre përshëndetëse.

 Znj. Hajdari, përmes fjalës së saj, bëri një përmbledhje të ecurisë së Planit të Veprimit, që prej 9 qershorit të 2020-s, datë e diskutimit të planit për masat e përmbushjes së objektivave të lëna nga Këshilli i Evropës. Znj. Hajdari në fjalën e saj e vuri theksin te rëndësia e një date të organizimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Shqipëri-BE. Znj. Hajdari shtoi se gjithashtu mbetet për t’u parë zbatimi i reformës zgjedhore dhe garantimi i zgjedhjeve të lira, duke i cilësuar ato si prova e radhës për vendin në imazhin që krijon për komunitetin ndërkombëtar e sidomos te vendet që më parë patën shfaqur skepticizëm.

 Nënkryetari i KKIE-s, z. Taulant Balla, shprehu në fjalën e tij një vlerësim pozitiv për të gjitha institucionet e përfshira në planin e masave nga objektivat e përcaktuar nga Këshilli i BE, pavarësisht shtyrjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ai shtoi që pala shqiptare mbetej e përkushtuar ndaj reformave dhe se nuk kishte asnjë tërheqje pas, nga ku reforma në drejtësi mbetej ajo më prioritarja. Z. Balla vlerësoi faktin që Kuvendi votoi dhe zgjodhi anëtarin e tretë të Gjykatës Kushtetuese duke plotësuar kriterin e lënë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare; vlerësoi ecurinë e Reformës Zgjedhore dhe të ecurisë së marrëveshjes së përmbushur të 5 qershorit nga Këshilli Politik. Z. Balla shtoi urimin e tij për zgjedhje të gjithëpranuara dhe për respektim standardesh zgjedhore nga të gjitha palët politike. Në mbyllje të fjalës ai vlerësoi edhe rolin e Kuvendit në procesin integrues, duke e cilësuar si urë lidhëse e duke e quajtur rolin e vetë KKIE-së si provë të këtij kontributi. Nënkryetari i KKIE-së kërkoi takime intensive në kuadër të integrimit, komunikim të vazhduar me komisionin e integrimit dhe opozitën.

 Z. Mazi, e nisi raportimin e tij përmes një falënderimi për institucionet e vendit dhe rolin e Kuvendit, në fazën e hartimit dhe më pas të miratimit dhe ecurisë së zbatimit të planit të masave. Procesin e integrimit, z. Mazi, e konsideroi ngjarjen më të rëndësishme që pas Luftës së Dytë Botërore, ndaj shtoi se nevojitej punë e përbashkët harmonike. Z. Mazi dha për KKIE-n një panoramë të përgjithshme të ecurisë së politikës së zgjerimit të BE-së për vitin 2020, panoramë e cila kalonte përmes këtyre pikave: marrëveshja për daljen e rregulluar nga BE të Britanisë, miratimi i buxhetit afatgjatë për 7 vjet i BE-së dhe plani i rimëkëmbjes prej pasojave të pandemisë së Covid-19 e ku mes tyre, zinte vend të veçantë edhe paketa e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai e quajti vit të vështirë 2020-n. Objektivi më i afërt i Shqipërisë, pas 25 marsit 2020, ku Këshilli kishte vendosur për çeljen e negociatave me Shqipërinë, pas dy vjetëve dështim që prej propozimit të Komisionit më 2018-n, mbetej miratimi i kuadrit negociues për Shqipërinë dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për negociatën teknike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ky objektiv, sipas z. Mazi, do të arrihej përmes ridërgimit të rekomandimit të pastër nga Komisioni në Këshillin e Europian, për paketën e zgjerimit 2020 si edhe caktimi i datës për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Supozohej që Konferenca e Parë Ndërqeveritare do të mbahej sa më shpejt, fill pas kornizës negociuese, e që deri atëherë Shqipëria duhej të përmbushte kërkesat specifike të marsit 2020, përpara miratimit të kuadrit negociues. Ndaj edhe u vijua me planin e veprimit në disa hapa, sqaroi z. Mazi, ku listoi: miratimin e reformës zgjedhore me përparësi rekomandimet e OSBE-ODHIR, arritjen e kuorumeve dhe funksionalitetin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtuetuese, ngritjen dhe funksionimin e BKH-së dhe SPAK-ut, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ngritja e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Z. Mazi u shpreh se u bë punë konkrete për të vijuar me përmbushjen e reformave të nevojshme të procesit të integrimit duke listuar disa arritje: 1. Duke priorizuar kërkesat, më 5 qershor 2020 Këshilli Politik përfundoi draftin e reformës zgjedhore, si marrëveshje e opozitës dhe shumicës parlamentare, që më 23 korrik 2020 u kthye në dispozitë ligjore. 2. Ndryshimet në Kod Zgjedhor adresuan gjithëpërfshirjen e rekomandimeve të OSBE-ODHIR, duke e plotësuar edhe këtë kusht. 3. Më pas, Gjykata Kushtetuese mori funksionalitet me 6 anëtarë e që sot është me 7 anëtarë. 4. Që prej qershor 2020-s, Gjykata Kushtetuese është funksionale. 5. Gjithashtu, edhe Gjykata e Lartë është funksionale, pas emërimit të 3 kandidaturave jomagjistrate duke përbërë një tjetër kusht të plotësuar. 6. Që prej dhjetor 2019, edhe SPAK është plotësisht funksional. 7. Prej 30 korrikut të 2020-s, ushtron funksionin drejtori i BKH-së. 8. Lufta kundër korrupsionit vijoi të forcohej me progres në vijimësi duke patur suksese në luftën kundër krimit të organizuar në bashkëpunim me shtetet anëtare të BE-së, përmes zbatimit të planit për adresimin e FATF-së. 

Z. Mazi, pas raportimit të përgjithshëm të ecurisë, shtoi edhe disa konsiderata të tjera: ai shtoi se Komisioni ka sjellë rezultate pozitive për raportimin e përmbushjes së MSA-së nga Shqipëria për vitin 2020 e se janë bërë përparime nga pala shqiptare në të 33 kapitujt negociues; ai iu referua komisionerit Varlhey sipas të cilit Shqipëria i ka përmbushur kushtet për Konferencën Ndërqeveritare e shtoi po ashtu se synohet që në qershor të 2021-t, çka përbën edhe një objektiv të presidencës portugeze, të thirret kjo konferencë; metodologjia e re dhe strikte e bën të pamundur “status quo-në” duke e cilësuar mosprogresin si regres e kjo kërkon që të vijohet nga ana e Shqipërisë me qasjen gjithëpërfshirëse në rajon dhe linjëzimin e plotë me politikat e jashtme të BE sa i takon politikës së jashtme dhe politikave të sigurisë, si edhe përmes komunikimit të brendshëm e konstruktiv mes palëve të përfshira. “Duhet të vijojmë me të gjitha forcat dhe mundësitë dhe kanalet në dispozicion, për të zbatuar vendimin e marsit 2020, miratimin e kornizës negociuese për Shqipërinë dhe miratimin e datës për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëri-BE”,- u shpreh z. Mazi.  

Pjesëmarrës përmes pyetjeve dhe diskutimeve në mbledhjen e KKIE-së u bënë edhe z. Gjergji Vurmo, drejtor i IDM-së; zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi; znj. Ilda Zhulali, nga Presidenca e Republikës; znj. Ilda Cuka, përfaqësuese e Komitetit Shqiptar të Helsinikit. Z. Mazi shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në një tjetër takim të KKIE për të ofruar raportim më të gjerë lidhur me pika të tjera jashtë planit të veprimit. KKIE miratoi në fund të këtij takimi edhe raportin vjetor të veprimtarisë për vitin 2020. Mbledhja e sotme, në vijim të masave protokollare anti-Covid, u zhvillua përmes platformës elektronike “Cisco Webex”. 


Share