Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi një projektligj dhe zhvilloi seancë dëgjimore me kandidatin për anëtar të Këshillit Drejtues të AKEP
- Postuar më, 25/01/2021

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe
Mjedisin në drejtimin e kryetarit z.Ilir Beqaj zhvilloi një seancë dëgjimore me
z. Lorenc Bako, kandidat për anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të
Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Në prezantimin e tij përpara komisionit, z. Bako u
shpreh se miratimi i kandidaturës së tij, bazuar në eksperiencat e ndryshme që
ka pasur në këtë fushë, profesionit dhe njohjeve ligjore dhe profesionale, do
të jetë një vlerë e shtuar dhe një garanci në Këshillin drejtues të AKEP.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan
kandidaturën e z. Bako, e cila do t’i përcillet për votim seancës plenare.
Çështja e dytë e rendit të ditës
ishte shqyrtimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.
9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, e
cila vjen si nismë e deputetit z. Ili Beqaj.
Të ftuar për këtë projektligj ishte zëvendësministri i
Infrastrukturës dhe Energjisë z. Etjen Xhafaj, z. Adrian Kamenica, Sekretar i
Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe z. Pavlin Ndreu, Drejtor
i Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
Relatori i projektligjit z. Ilir Ndraxhi u shpreh se
qëllimi i këtij projektligji është harmonizimi me legjislacionin e miratuar nga
Kuvendi i Shqipërisë, konkretisht me ligjet: “Për aktivitetet e Turizmit
Detar”, “Për regjistrimin dhe mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve
lundruese, turistike e të argëtimit” dhe ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi
vlerën e shtuar”, etj., duke sjellë kështu edhe propozimin e disa ndryshimeve
në Kodin Detar, me qëllim harmonizimin e përcaktimeve me këto ligje.
Zëvendësministri Xhafaj në fjalën e tij theksoi se
ministria është e angazhuar tërësisht në ndryshimin e Kodit Detar. “Ne jemi
duke zhvilluar aktualisht një bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Sigurisë
Detare, ky është një projekt i gjerë asistence teknike, pjesë e të cilit do të
jetë asistenca teknike në përditësimin e Kodit Detar Shqiptar.”, vlerësoi ndër
të tjera z. Xhafaj.
Pas diskutimeve, pyetjeve e sugjerimeve anëtarët e
komisionit miratuan ndryshimet e propozuara nga z. Beqaj për projektligjin “Për
disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i
Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes
platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”.