Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 22/01/2021

22 janar 2021

Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, në mbledhjen e sotme nën drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, miratoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi dy projektligje. Dy projektligjet e miratuara ishin: “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II)” dhe “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin për parandalimin e evazionit fiskal, ratifikuar me ligjin nr. 62/2014”. 

Z. Zef Mazi, kryenegociatori i Shqipërisë për aderimin në BE, paraqiti për komisionin projektligjin e parë.  Sipas z. Mazi, programi vjetor i vitit 2019, mbështetur në Dokumentin Strategjik Kombëtar për plotësimin e objektivave të integrimit, do të mbështesë përfshirjen sociale dhe programi vjetor “BE për përfshirjen sociale” dhe ka si qëllim të kontribuojë në forcimin e përfshirjes sociale, duke rritur mbulimin, përfshirjen dhe efektivitetin e shërbimeve të kujdesit social, dispozitat e edukimit gjithëpërfshirës dhe mundësitë e punësimit. Objektivi i përgjithshëm i këtij programi për vitin 2019 është që të zgjerojë mbulimin, gjithëpërfshirjen, efektivitetin dhe reagimin ndaj emergjencave të shërbimeve të kujdesit social, arsimin parauniversitar dhe mundësitë e punësimit për të rinjtë dhe të rriturit në Shqipëri, duke përfshirë popullatat në rrezik përjashtimi. Z. Mazi vuri theksin te fakti që kontributi i përgjithshëm i BE-së për përfshirjen sociale shkon në 70.65 milionë euro. Z. Mazi theksoi se në kuadër të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë, KE pati vendosur rialokimin e fondeve IPA për 2019-n. Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Dajna Sorensen mbështeti projektligjin në fjalë. Mbështetje për projektligjin dha edhe relatorja për komisionin, znj. Elona Gjebrea.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët e komisionit, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi. 

Z. Nikolla Lera, drejtues i lartë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, paraqiti për komisionin projektligjin “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin për parandalimin e evazionit fiskal, ratifikuar me ligjin nr. 62/2014”. Z. Lera, lidhur me projektligjin u shpreh se marrëveshja e shmangies së tatimit të dyfishtë është nënshkruar që më 2014-n. Nga pala kosovare, sipas tij, është kërkuar riparja lidhur me tatimin e dividentit të papërfshirë në marrëveshjen e 2014-s, si edhe u saktësua ndarja e së drejtës se taksimit për të drejtën e pronësisë “royality” me dakordësi dypalëshe. Ndryshimet gjetën mbështetjen edhe të relatorit për komisionin, z. Ervin Bushati. Pas diskutimeve komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin. 

Në vijim të masave antiCovid, edhe mbledhja e sotme e komisionit për Politikën eJashtme u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, “Cisco Webex”. 



Share