NJOFTIM PËR SHPALLJEN E VENDIT VAKANT PËR ANËTAR TË KOMISIONIT TË KONKURRENCËS

  • Postuar më, 21/01/2021

Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e datës 21 janar 2021, në mbështetje të nenit 21 dhe nenit 22, pika 2, gërma ç, të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” të ndryshuar, si dhe nenit 111, të Rregullores së Kuvendit, me vendimin nr. 1/2021 të tij, vendosi “Shpalljen e vendit vakant për anëtar të Komisionit të Konkurrencës”.


A. Ftohen për paraqitjen e kandidaturave për anëtar të Komisionit të Konkurrencës, individët që plotësojnë kriteret e nenit 20 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” të ndryshuar, si më poshtë:

a) të jetë shtetas shqiptar; 

b) të ketë vjetërsi pune në profesion jo më pak se 15 vjet; 

c) të jetë, prej jo më pak se 5 vjetësh, pjesëtar i trupit akademik universitar ose të mbajë titull apo gradë shkencore në fushën e ekonomisë a të drejtësisë, specialiteti “E drejtë civile/ administrative; 

     ç) të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore. 

Kandidatët duhet të    paraqesin dokumentacionin e kërkuar pranë sekretarisë së Kuvendit brenda 20 ditëve nga publikimi i këtij njoftimi. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është data 12 shkurt 2021.


B. Propozimi i çdo kandidature duhet të përmbajë:


1. Fotokopje të kartës së identitetit;

2. CV-në e nënshkruar në çdo faqe nga kandidati;

3. Librezë pune ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të vjetërsisë së punës në profesion jo më pak se 15 vjet;

4. Vërtetime nga institucionet akademike ose dokumentacion që vërteton përmbushjen e pikës c të kritereve të sipërpërmendura;

5. Vërtetim që ndaj kandidatit të mos jetë marrë masë disiplinore për largimin nga puna ose nga shërbimi civil;

6. Vërtetim i gjendjes gjyqësore;

7. Deklaratë e Konfliktit të Interesit që gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi;

8. Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë si dhe bashkëlidhur këtij njoftimi;

9. Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.



Share