Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti znj. Vesna Radonjiç, e Ngarkuar me Punë e Ambasadës së Republikës së Malit të Zi në Shqipëri

  • Postuar më, 12/01/2021

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti në Selinë e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vesna Radonjiç, e Ngarkuar me Punë e Ambasadës së Republikës së Malit të Zi në Shqipëri, me kërkesë të kësaj të fundit.  

Znj. Radonjiç bëri një tablo të zhvillimeve politike në Mal te Zi, duke theksuar se edhe qeveria e koalicionit të tre partive, dalë si rezultat i zgjedhjeve të fundit, është e angazhuar të ruajë të njëjtat orientime në politikën e jashtm: integrimin europian, angazhimin në NATO, politikën rajonale dhe fqinjësinë e mirë.

Në këtë kuader, ajo shprehu kënaqësinë për mardhëniet miqësore midis dy vendeve si dhe frymën e bashkëpunimit në të cilën ato ato synojnë të zgjidhin të tëra çështjet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkufitare dhe minoritetet. 

Znj. Radonjiç i dorëzoi znj. Kodheli një letër nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Emigrantët, z. Miodrag Lekic, i cili duke theksuar rëndësinë e diplomacisë parlamentare si një rrugë efikase për forcimin e marrëdhënieve midis vendeve, shpreh dëshirën për intensifikimin e dialogut dhe kontakteve ndërparlamentare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Znj. Kodheli, duke folur mbi ecurinë e proceseve integruese të Shqipërisë në BE,  shprehu kënaqësinë për faktin që të dyja vendet kanë objektiva tw njëjta përsa i përket politikws së jashtme.  

Kryetarja e Komisionit per Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli, vlerësoi mesazhin e Kryetarit të Komisionit parlamentar të Malit te Zi për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Emigrantët, z. Miodrag Lekic dhe shprehu gatishmërinë për tu takuar sa më parë me homologun e saj për të biseduar së bashku mbi rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rolin e parlamentarëve jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe por edhe për rritjen e bashkëpunimit, konsolidimin e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.   


Share