Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli, priti Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shtetit të Katarit, z. Ali Bin Hamad Al-Marri

  • Postuar më, 28/12/2020

28 dhjetor 2020

 Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli, priti në Selinë e Kuvendit, Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shtetit të Katarit në Republikën e Shqipërisë , z. Ali Bin Hamad Al-Marri, me kërkesë të këtij të fundit.  

Gjatë takimit Ambasadori Ali Bin Hamad Al-Marri i dorëzoi znj. Kodheli një kërkesë për mbështetje të nismës së Katarit për hapjen e një Qendre Rajonale trajnimi për operacionet paqeruajtëse nën ombrellën e NATO-s. Qendra do të kontribuojë në përballimin e sfidave të përbashkëta në krye të të cilave qëndron terrorizmi. Ajo synon forcimin e bashkëpunimit në zbatimin e programeve të partneritetit në fushat e sigurisë kibernetike, menaxhimit të krizave, sigurisë energjetike, incidenteve dhe emergjencave kimike, biologjike, radiologjike e bërthamore, si dhe planifikimin për emergjencat civile.

Zonja Kodheli i shprehu Ambasadorit përgëzimet për kontributin e Katarit në favor të paqes e sigurisë në rajon e më gjerë dhe u shpreh se do ta shqyrtonte me shumë kujdes nismën e Katarit për krijimin e Qendrës.

Më tej bashkëbiseduesit biseduan mbi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, rritjes së investimeve të Katarit në Shqipëri, si dhe mbi promovimin e bashkëpunimit ndërparlamentar midis dy vendeve.


Share