Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Europës seancë të përbashkët mbi ndikimin e pandemisë Covid-19 në çështjet e grave. Përshëndet Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE, z. Rik Daems

  • Postuar më, 04/12/2020

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, në përkrahje të  nismës së Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës z. Rik Daems, “Për forcimin e bashkëpunimit mes parlamenteve kombëtare gjatë krizës aktuale COVID-19”, mbështeti organizimin e seancës së përbashkët dëgjimore “Ndikimi i pandemisë Covid-19 në çështjet e grave”, si një veprimtari e përbashkët e  Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila u zhvillua sot, më datë 4 dhjetor 2020.

Qëllimi i kësaj nisme të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Rik Daems, është që të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të KiE të organizojnë dëgjesa në komisionet e përhershme parlamentare kushtuar tematikave të veçanta mbi  ndikimin dhe pasojat e pandemisë COVID-19.

Në seancë morrën pjesë dhe përshëndetën Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE, z. Rik Daems, si edhe Kryetari i Delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputeti Ervin Bushati.

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vuri në dukje se “Përpjekjet që kemi bërë e po bëjmë si edhe rezultatet që kemi arritur për të nxitur pjesëmarrjen shoqërore, ekonomike e politike të grave e vajzave, janë domethënëse sepse shënojnë një zhvillim cilësor në kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Por këto arritje nuk janë gjithmonë drejtvizore. Shpesh ato kërcënohen nga rreziqe, të cilat vijnë si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë shoqërisë. Një rrezik të tillë, të jashtëm, përfaqëson edhe pandemia e Covid-19, e cila, përveç pasojave shëndetësore dhe ekonomike, ndikoi në pozitën e grave e vajzave në shoqëri e familje.   Pandemia po ndikon në mënyrë kapilare, horizontale e vertikale, në të gjithë shoqërinë. Ajo imponon ndryshime, korrigjime, ridimensionime e mohime, të domosdoshme për të garantuar mbijetesën e shoqërisë ndaj këtij rreziku dhe rreziqeve anësorë që e shoqërojnë. Është detyra jonë të kontribojmë për të shmangur apo pakësuar këtë ndikim, në mënyrë që gratë dha vajzat e Shqipërisë, gratë dhe vajzat e Europës, gratë dhe vajzat kudo në planet, të gëzojnë kënaqësitë e jetës normale dhe të kontribojnë në mirëqenien e pjesëmarrjen e tyre në jetën shoqërore, në tregje dhe jetën ekonomike, në institucionet dhe vendim-marrjen politike.”

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE, z. Rik Daems, në fjalën e tij falenderoi Kuvendin e Shqipërisë për organizimin e kësaj senace si edhe vleresoi përpjekjet e Kuvendit të Sghqiëprisë për mbështetjen ligjore dhe lehtësimin e pasojave të pandemisë, sidomomos ndaj grave e vajzave.

Seanca u moderua nga Zëvëndëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, e cila vuri në dukje se pandemia e shkaktuar nga Covid 19 ka ndikuar dhe po ndikon në shumë aspekte të jetës, ekonomisë dhe aspektin social.  Ajo po vë në ngarkesë të plotë shërbimet shëndetësore në të gjithë vendin dhe ka rritur nevojën për shërbime dhe investime të disa sektore.

Në seancë morën pjesë dhe paraqitën vlerësimet e tyre mbi ndikimin e pandemisë  së Covid-19 në çështjet e grave në Shqipëri, Znj. Zita Gurmai, Raportuese e Asamblesë Parlamentare të KiE për Dhunën ndaj Grave; Dr. Aurela Bozo, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare; dhe  Znj. Iris Luarasi, Zëvendëspresidente e organizatës GREVIO.

Konkluzionet e seancës u bënë nga deputetja Eglantina Gjermeni, Kryetare e Nënkomisionit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, dhe anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi:

"I nderuar President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Daems,

Të nderuar kolegë dhe kolegë deputetë,

Të nderuar përfaqësuese të shoqërisë civile,

Seanca Dëgjimore “Ndikimi i Pandemisë Covid 19 në Çështjet e Grave”, e cila organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, trajton një çështje të rëndësishme të shoqërisë shqiptare.

E theksoj që në fillim, të shoqerisë, jo vetëm dhe thjesht të grave e vajzave të Shqipërisë.

Sepse unë i jam përmbajtur dhe i përmbahem pikëpamjes se çështjet e barazisë gjinore dhe të grave e vajzave nuk mund të zgjidhen asnjëherë nëse trajtohen si çështje vetëm të tyre dhe jo çështje të shoqërisë. Madje, do të thoshja edhe të burrave shqiptarë. 

Pabarazia gjinore në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera të planetit, nuk  buron nga aftësitë më të pakta dhe pamundësitë e grave e vajzave për të kontribuar si edhe burrat.

Buron nga mentalitetit autoritarist, patriarkal dhe mashkullor i shoqërive të sotme.

Për fat të keq, shoqëria shqiptare, sidomos deri nga mesi i shekullit të kaluar, ka qenë një shoqëri tradicionale, në të cilën mbizotëronin normat shoqërore që u jepnin grave dhe vajzave një pozitë periferike jashtë mureve të shtëpisë, duke i mbingarkuar ato me veprimtaritë brenda tyre.

Prandaj përpjekjet që kemi bërë e po bëjmë si edhe rezultatet që kemi arritur për të nxitur pjesëmarrjen shoqërore, ekonomike e politike të grave e vajzave, janë domethënëse sepse shënojnë një zhvillim cilësor në kulturën dhe shoqërinë shqiptare.

Por këto arritje nuk janë gjithmonë drejtvizore. Shpesh ato kërcënohen nga rreziqe, të cilat vijnë si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë shoqërisë.

Një rrezik të tillë, të jashtëm, përfaqëson edhe pandemia e Covid-19, e cila, përveç pasojave shëndetësore dhe ekonomike, ndikoi në pozitën e grave e vajzave në shoqëri e familje. 

Pandemia po ndikon në mënyrë kapilare, horizontale e vertikale, në të gjithë shoqërinë. Ajo imponon ndryshime, korrigjime, ridimensionime e mohime, të domosdoshme për të garantuar mbijetesën e shoqërisë ndaj këtij rreziku dhe rreziqeve anësorë që e shoqërojnë.

Është detyra jonë të kontribojmë për të shmangur apo pakësuar këtë ndikim, në mënyrë që gratë dha vajzat e Shqipërisë, gratë dhe vajzat e Europës, gratë dhe vajzat kudo në planet, të gëzojnë kënaqësitë e jetës normale dhe të kontribojnë në mirëqenien e pjesëmarrjen e tyre në jetën shoqërore, në tregje dhe jetën ekonomike, në institucionet dhe vendim-marrjen politike.

Kuvendi i Shqipërisë, në dhjetor të vitit 2017, ka miratuar Rezolutën “Për dënimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave ligjore për parandalimin e tij”.

Në zbatim të kësaj Rezolute, ne po nxisim e inkurajojmë të gjitha institucionet si edhe shoqërinë civile të bashkëpunojnë për të përmirësuar cilësisht kushtet e punës, të jetës dhe pjesëmarrjes së grave e vajzave të Shqipërisë, dhe për të zgjeruar aksesin për kontributin e tyre si një faktor emancipues i shoqërisë."





Share