Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Rumanisë, z. Mircea Perpelea: Të rivitalizojmë shkëmbimet politike e bashkëpunimin ekonomik

  • Postuar më, 24/11/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadorin e Rumanisë, z. Mircea Perpelea, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri. 

Kryetari i Kuvendit vlerësoi kontributin e Ambasadorit Perpelea në zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh dhe  shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme që Qeveria Rumune ofroi Shqipërisë pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rumanisë janë shumë të mira, dhe ato mbështeten në lidhjet historike dhe miqësinë e hershme mes popujve tanë.  Unë vlerësoj vullnetin reciprok të të dy vendeve për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar rrugët e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, duke ruajtur dhe rivitalizuar shkëmbimet politike ne nivele te larta dhe bashkëpunimin ekonomik e tregtar.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Z. Ruçi falenderoi Ambasadorin Perpelea për mbështetjen që Rumania i ka dhënë rrugëtimit europian të Shqipërisë, posaçërisht vendimit për çeljen e negociatave dhe nënvizoi se Rumania, si vend anëtar BE-së dhe Shqipëria, si vend kandidat në BE, e konsiderojnë thelbësore për rajonin integrimin europian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i dorëzoi Ambasadorit Mircea Perpelea Çertifikatën e Mirënjohjes për kontributin e  shquar në zgjerimin dhe fuqizimin e marrëdhënive e bashkëpunimit midis të dy vendeve gjatë mandatit të tij në Shqipëri.
Ambasadori Perpelea falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për vlerësimin e marrëdhënieve dypalëshe si edhe të kontributit të Ambasadorit në këtë bashkëpunim dhe premtoi se kudo që të shërbejë do të mbetet një mik dhe dashamirës i Shqipërisë.  



Share