Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektvendimin për shpalljen e vakancës për Inspektor të Përgjithshëm të ILDKPKI

  • Postuar më, 20/11/2020

20 nëntor  2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi projektvendimin për shpalljen e vakancës së Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Në nisje të mbledhjes, kryetari i Komisionit, z.Ulsi Manja, parashtroi se Kuvendi me Vendimin nr.14/2014 , datë 20.02.2014, ka zgjedhur z.Shkëlqim Ganaj, në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave me një mandat 7-vjeçar. Më tej z. Manja sqaroi se bazuar në nenin 11, të ligjit 9049, datë 10.04.2003, Kuvendi i Shqipërisë  jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit publikon shpalljen për vendin vakant të kreut të  ILDKPKI –së.  Shpallja do të publikohet për një afat 20-ditor dhe më pas kandidaturat që plotësojnë kriteret dhe do të përzgjidhen, do ti kalojnë për shqyrtim seancës plenare. Projekvendimi u miratua me shumicë votash nga anëtarët e pranishëm në mbledhjen e komisionit.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale “Cisco Webex”.


Share