Komisioni i Politikës së Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë priti në takim delegacionin e komisionit homolog të Kuvendit të Kosovës

  • Postuar më, 21/10/2020

21 tetor 2020


Komisioni i Politikës së Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, në drejtimin e znj. Kodheli, priti sot në takim delegacionin e komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvendin e Kosovës, të kryesuar nga kryetarja e këtij komisioni, znj. Time Kadrijaj.

Në këtë takim, kryetarja Kodheli, pasi uroi për detyrën e re kryetaren e komisionit dhe deputetët e delegacionit, që të parën vizitë zyrtare po e zhvillonin në Shqipëri, ritheksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërparlamentar mes Shqipërisë dhë Kosovës në drejtim të dy agjendave: perspektivën integruese drejt BE-së dhe atë euro-atlantike. Znj. Kodheli shtoi se nevojiten marrëdhënie, takime, komunikim dhe arritje konkrete bashkëpunimi mes të dy vendeve tona. Ajo u shpreh se të dy vendet kanë se ç’mësojnë nga përvojat e mira të njeri-tjetrit, gjithashtu edhe nga gabimet e tyre.

Znj. Kadrijaj, kryesuesja e delegacionit të Kosovës, i dha theks rëndësisë së vizitës së saj të parë zyrtare në Shqipëri. Ajo u shpreh se Shqipëria mbetet edhe zëri i Kosovës në organizmat ndërkombëtar dhe u ndal te pozita e Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare: procesi i njohjeve, mospërfaqësimi në organizatat ndërkombëtare, mosnjohja nga 5 shtetet të Bashkimit Evropian dhe çështjet e dialogut. Në takimin e dy delegacioneve u prekën edhe të tjera çështje lidhur me arritjet e marrëveshjeve dhe protokolleve të firmosura nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, bashkëpunimi ekonomiko-tregtar, bashkëpunimi në fushën e punësimit dhe çështjeve sociale, nevoja e koordinimit për qasjen ndaj diasporës, ecuria e dialogut Kosovë-Serbi dhe rëndësia e një strategjie të mirëkoordinuar të lobimit për anëtarësimin e Kosovës, përparimin e procesit të njohjeve dhe finalizimin e dialogut me njohje të ndërsjelltë mes vendeve.

Më herët këtij takimi, delegacioni i Kosovës ishte pritur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi. Dy delegacionet, në përfundim të takimit, ranë dakord për një tjetër takim pune në një moment të ardhshëm. 






Share